Lajmi i fundit

LIVE - Dita e 5-të e protestave studentore, Tirana në tension

'Hiqini kapelet, nuk jam kriminel!'/ 16-vjeçari para Ministrisë së Arsimit: Rrezikoj jetën për të ardhmen time, do të vazhdojmë deri në fund

11:29, 17/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Revolta studentore dhe e gjimnazistëve ka hyrë në ditën e pestë, me nxënësit që janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protesta ka nisur me përplasje verbale mes të rinjve dhe efektivëve të policisë, ndërsa një gjimnazist 16-vjeçar u ka bërë thirrje uniformave blu të heqin kapelet dhe të bashkohen me protestuesit, duke kujtuar bashkëmoshatarët e arrestuar dhe prindërit që i presin në shtëpi.

“Hiqini kapelet, unë nuk jam kriminel. Ju lutem, hiqni kapelet, bashkohuni! Ju keni arrestuar moshatarët e mi, kanë nëna në shtëpi që i presin”, deklaroi 16-vjeçari para Ministrisë së Arsimit.

Me emocione të forta, ai foli për dhunën dhe arrestimet e të rinjve, duke thënë se i mbushen sytë me lot kur kujton bashkëmoshatarët që, sipas tij, janë rrahur dhe arrestuar gjatë protestave.

“Më mbushen sytë me lot kur kujtoj, jo vetëm unë, por të gjithë ata të rinj që janë rrahur dhe arrestuar. Kanë nëna nëpër shtëpi që i presin. Mundohuni, njëri hiqni kapelen, të gjithë do të bashkohen me ju”, u shpreh ai, duke iu drejtuar efektivëve të policisë.

Gjimnazisti tha se ka dalë në protestë për të drejtat e tij dhe për të ardhmen në Shqipëri, pavarësisht frikës nga policia dhe kundërshtimit fillestar të prindërve.

“Kemi dalë për të drejtat tona. Unë jam gjimnazist, jam 16 vjeç dhe rrezikoj jetën çdo ditë për të hequr Edi Ramën. Nuk po na lejon të rrimë në vendin tonë. Pesë muaj kemi protestuar dhe nuk pati asnjë reagim. Si do të futet ky në Bashkimin Europian me këtë shtet?”, deklaroi 16-vjeçari.

Ai denoncoi gjithashtu arrestimin e të miturve dhe tregoi se i kishte bindur prindërit për ta lejuar të merrte pjesë në protestë, duke u thënë se po dilte për të ardhmen dhe të drejtat e tij.

“Kam frikë nga policia, por do të dalim, duhet të dalim të gjithë të përballemi me këtë gjë”, përfundoi gjimnazisti, duke shprehur vendosmërinë për të vijuar protestën.

Zëri i 16-vjeçarit, përballë efektivëve të policisë, është një tjetër dëshmi e zemërimit të të rinjve që prej pesë ditësh po protestojnë në Tiranë, duke kërkuar të drejtat e tyre dhe duke kundërshtuar mënyrën se si po trajtohen protestuesit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco