Veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari i është drejtuar me një letër ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, duke shprehur shqetësimin për dhunën policore ndaj studentëve dhe keqtrajtimin e gazetarëve gjatë protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Bajraktari kërkon që SHBA-të të mos qëndrojnë vëzhguese pasive përballë zhvillimeve në Shqipëri, por të angazhohen në mbrojtje të demokracisë dhe lirive qytetare. Ai paralajmëron gjithashtu se komuniteti shqiptaro-amerikan do të angazhohet me miqtë e tij në Washington për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Në reagimin e tij, Bajraktari u del në mbështetje studentëve dhe të rinjve që po protestojnë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ata nuk janë armiq të Shqipërisë, por e ardhmja e kombit shqiptar.
Ai i kujton kryeministrit se qeveria duhet t'u shërbejë qytetarëve dhe t'u japë llogari atyre, ndërsa dënon përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve që raportojnë nga terreni.
Përmes letrës drejtuar ambasadorit amerikan, Bajraktari kërkon angazhim konkret të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të lirive dhe të drejtave demokratike në Shqipëri. Ai njofton se komuniteti shqiptaro-amerikan do të vijojë përpjekjet e tij në Washington, duke shfrytëzuar lidhjet me miqtë dhe mbështetësit e Shqipërisë në kryeqytetin amerikan.
Më poshtë, reagimi i plotë i Harry Bajraktarit:
Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama nuk janë armiq të Shqipërisë. Ata janë e ardhmja e kombit shqiptar!
Një gjë duhet ta dijë Kryeministri Rama: Qeveria është për qytetarët dhe e qytetarëve.
Studentët që po kërkojnë arsim më të mirë, perspektivë, llogaridhënie dhe demokraci duhet të dëgjohen, jo të luftohen. Historia ka treguar se zëri i popullit nuk mund të shtypet me forcë, e as pushteti të mbahet me dhunë.
🇺🇸 Në një letër që i kam dërguar Ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, z. Eric Wendt, e shpreha shqetësimin tim të thellë për këtë situatë. Jam shumë i shqetësuar nga pamjet e tmerrshme të arrestimeve dhe përdorimit të tepruar të forcës policore ndaj studentëve, si dhe të keqtrajtimit të gazetarëve që po mbulojnë protestat.
Prandaj, Ambasadorit Wendt i kërkova që Amerika të mos mbetet vëzhguese pasive e këtyre ngjarjeve, por të angazhohet në mbrojtje të lirive dhe të drejtave demokratike në Shqipëri.
Për më shumë se 100 vjet, që nga Presidenti Woodrow Wilson e deri më sot, Amerika ka qëndruar pranë popullit shqiptar 🇺🇸🇦🇱 Edhe sot, shqiptarët i kanë sytë nga miku i tyre më i madh.
Shqipëria ka nevojë për demokraci të vërtetë. Për një qeveri që punon e i jep llogari popullit, jo që shtyp e godet protestat e studentëve.
Në ditët në vijim, ne si komunitet shqiptaro-amerikan do të angazhohemi me miqtë tanë në Washington, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave të qytetarëve në Shqipëri.
Zoti e bekoftë popullin amerikan!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!
© SYRI.net