“Paqe” mes protestuesve dhe policëve? Dudushi: Sot në orën 6 pasdite është paralajmëruar kulmi i protestës

Gazetari Alban Dudushi ka komentuar protestat e të rinjve në Tiranë. Gjatë një interviste për edisionin maratonë të lajmeve në Vizion Plus me Roland Zilin, Dudushi tha se dita e djeshme ka qenë më qetë se 3 ditët e para.
Ai shtoi se ora 6 e pasdites së sotme, është paralajmëruar kulmi i protestës, por sipas tij, pritet të shihet nëse do të ketë masivitet në numër apo në veprim.
“Duhet ta nisim leximin nga dita e djeshme, që ishte një ditë më e qetë në krahasim me 3 ditët e para. Përfundoi me një paqe mes policisë dhe protestuesve. Pati entuziazëm që e pranuan paqen mes policisë e protestuesve. Protestuesit që ishin gjatë gjithë kohës me thirrjen të dorëzojnë kapelen, e panë si një solidaritet. Por pati edhe nga ata që e lexuan si zbehje të revoltës.
Gjatë gjithë kohës ishte paralajmëruar dita e shtunë për masivitet dhe për valencë përplasjesh me policinë. Është paralajmëruar ora 6 pasdite si kulmi i madh. nuk e di nëse do të rrisë masivitetin apo do të jetë një protestë që do jetë në numrat e ditës së mëparshme dhe me goditje më të mëdha, shpresoj jo me qytetin”, tha Dudushi për Vizion Plus.




