Nga Gentian Kaprata/
Polity & Ideology - Syri.net
Në Shqipëri kemi parti për çdo shije politike. Parti të mëdha e të vogla, të vjetra e të reja, parti që kanë qeverisur dhe parti që presin radhën. Kemi kryetarë që ndërrojnë parti dhe parti që ndërrojnë emër, por jo kryetar. E megjithatë, kur studentë dhe qytetarë dalin në shesh për të kërkuar largimin e qeverisë, nga studiot televizive u vjen një këshillë e vyer: krijoni edhe ju një parti! Sikur halli i demokracisë shqiptare të jetë mungesa e një partie tjetër!
Kjo ishte receta që u përsërit gjatë tri mbrëmjeve të fundit të emisionit Opinion në TV Klan. Sipas shumicës së panelistëve, që protesta të kishte peshë politike, duhej të shndërrohej në një forcë elektorale. Panelistët nuk ua mohonin studentëve të drejtën për të protestuar, por vinin në dyshim mundësinë që protesta të arrinte qëllimet e saj pa hyrë në garën për pushtet. Për ta, sheshi mund të shprehte pakënaqësinë, ndërsa vetëm organizimi partiak mund ta kthente atë në rezultat politik. Ata e shihnin protestën si një stacion në rrugën drejt pushtetit, jo si një mënyrë më vete për të ndikuar mbi të.
Dhe këtu shfaqej paradoksi i debatit: studentët dhe protestuesit dukeshin më të qartë se analistët për mënyrat se si funksionon demokracia. Të parët e dinin çfarë kërkonin. Të dytët këmbëngulnin t'u shpjegonin çfarë duhet të bëheshin. Pas kësaj këshille, në dukje praktike, fshihet një përmbysje e logjikës demokratike.
Politologia britanike Carole Pateman, në veprën Participation and Democratic Theory (1970), kundërshton idenë se demokracia mbaron te zgjedhja e përfaqësuesve njëherë në disa vjet. Për të, qytetarët duhet të marrin pjesë vazhdimisht në çështjet që ndikojnë mbi jetën e tyre. Qytetari nuk lind politikisht ditën e zgjedhjeve dhe nuk zhduket sapo mbyllen kutitë e votimit. Ai mbetet qytetar edhe të nesërmen, me të drejtën për të folur, për të kundërshtuar dhe për të ndikuar mbi vendimet që prekin jetën e tij.
Në këtë këndvështrim mund të kuptohet edhe protesta. Njeriu që del në shesh nuk po konkurron domosdoshmërisht për të qeverisur. Ai kërkon që zëri i tij të dëgjohet dhe pushteti t'i përgjigjet. Edhe pse protesta nuk është e njëjtë me format institucionale të pjesëmarrjes që analizon Pateman, ajo mbështetet mbi të njëjtin parim: qytetari ka rol politik edhe kur nuk është kandidat për asgjë.
Demokracia njeh tri mënyra të ndryshme për ta ushtruar këtë rol. Në demokracinë përfaqësuese, qytetari zgjedh ata që do të vendosin në emër të tij. Partitë konkurrojnë, kërkojnë votën dhe marrin mandatin për të qeverisur. Por qytetarët u japin përfaqësuesve të drejtën për të ushtruar pushtetin, jo të drejtën për ta konsideruar atë pronë të tyre. Në demokracinë e drejtpërdrejtë, qytetari vendos vetë. Në një referendum, për shembull, përgjigjen nuk e jep një politikan në emër të tij, por vetë populli me votë.
Në demokracinë pjesëmarrëse, qytetari nuk ka nevojë të kërkojë një post për të ndikuar mbi qeverisjen. Ai mund të marrë pjesë në hartimin e një plani urban, të kundërshtojë një vendim që prek lagjen e tij, të kërkojë ndryshimin e një ligji apo të dalë në protestë. Nuk synon domosdoshmërisht të marrë pushtetin; kërkon që pushteti ta dëgjojë. Në njërin rast zgjedh përfaqësuesit, në tjetrin vendos vetë, në të tretin merr pjesë dhe ndikon. Janë tri mënyra të ndryshme të jetës demokratike, jo tri rrugë që përfundojnë detyrimisht te një parti.
Dhe studentët duket se e kuptojnë këtë fare mirë, edhe pa e njohur Pateman-in. Ata kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme dhe të padiskutueshme të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të barabarta dhe kthimin e vendimit te qytetarët, që me votën e tyre të zgjedhin partinë që dëshirojnë t'i qeverisë.
Protestuesit nuk kanë dalë në shesh sepse Shqipërisë i mungojnë partitë opozitare. Përkundrazi, sipas tyre, qeverisja ua ka bërë të pamundur këtyre partive të mbrojnë interesat e qytetarëve përmes rrugëve të zakonshme demokratike. Prandaj kërkojnë të ndryshojnë kushtet në të cilat zhvillohet gara politike, jo të shtojnë një konkurrent tjetër në të njëjtën garë. Ata nuk kërkojnë ta zëvendësojnë votën e lirë me sheshin e protestës. Kërkojnë që sheshi t'ia kthejë pushtetin votës.
Është njësoj sikur banorëve që kundërshtojnë ndërtimin mbi parkun publik t'u thuash se duhet të kandidojnë për këshillin bashkiak. Ose prindërve që kërkojnë kushte më të mira në shkollë t'u sugjerosh të marrin drejtimin e institucioneve arsimore. Mund ta bëjnë edhe këtë, por nuk është ajo që po kërkojnë. Nuk ka nevojë të marrësh drejtimin e bashkisë për të kërkuar një qytet më të mirë. As të marrësh drejtimin e qeverisë për të kërkuar largimin e saj.
Një student ka provimet përpara, një mësues duhet të kthehet nesër në klasë, një prind shqetësohet për të ardhmen e fëmijëve. Ata mund të jenë anëtarë partish, simpatizantë apo qytetarë pa përkatësi politike. Nuk kanë pse të heqin dorë nga jeta e tyre e zakonshme për t'u shndërruar në politikanë. E drejta për të kërkuar ndryshim nuk mund të kushtëzohet me dëshirën për të zënë vendin e atyre që qeverisin.
Këtu qëndron ironia më e hidhur e debatit. Duke këmbëngulur në një rrugë që protestuesit nuk e kërkojnë, panelistët shfaqin të njëjtin qëndrim që këta qytetarë kundërshtojnë te qeverisja: bindjen se dikush tjetër e di më mirë se vetë qytetari çfarë është e mira për të. Qeveria, sipas protestuesve, nuk ua dëgjon kërkesat. Analistët i dëgjojnë, por u shpjegojnë se duhet të kërkojnë diçka tjetër. Njëra palë vendos në vend të qytetarit; tjetra përpiqet t'i tregojë çfarë duhet të dëshirojë.
Natyrisht, një protestë mund të lindë një parti. Por kjo është zgjedhje e protestuesve, jo një provim që duhet ta kalojnë për të dëshmuar pjekurinë e tyre politike. Ndoshta, përpara se t'u japim studentëve leksione për demokracinë, duhet t'i dëgjojmë pak më shumë. Ata kërkojnë zgjedhje të lira mes partive ekzistuese, jo një parti tjetër në fletën e votimit.
Në një vend ku partitë nuk mungojnë, qytetarët kanë dalë në shesh sepse kërkojnë që demokracia përfaqësuese të funksionojë. Dhe përgjigjja që marrin është: krijoni edhe një parti!
Sikur problemi të jetë se qytetarët nuk kanë mjaftueshëm politikanë, dhe jo se politikanët nuk po i dëgjojnë mjaftueshëm qytetarët.
© SYRI.net