Gati 100 vjet pas vjedhjes, rikthehet në ekspozitë Diamanti rozë “Grand Condé” në Francë

17 Tetor 2026 | 14:27

Një diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në Château de Chantilly.

Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, është një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar.

Historia e diamantit tërhoqi vëmendjen që në kohën e vjedhjes. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e morën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar.

Diamanti u gjet disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe zbuloi gurin e çmuar.

Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, pavarësisht se historia mund të duket e pabesueshme, ajo u pasqyrua gjerësisht në gazetat e kohës.

Rikthimi i diamantit në ekspozitë vjen në një periudhë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me një sërë grabitjesh, përfshirë vjedhjen e bizhuterive nga Muzeu i Luvrit në Paris. Për këtë arsye, Deldicque është pyetur nëse ekspozimi i një objekti kaq të rrallë mund të përbëjë rrezik të shtuar për sigurinë e tij.

Drejtori nuk ka zbuluar për CNN shumën për të cilën është siguruar diamanti, por ka theksuar se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta bërë të identifikueshëm në mënyrë unike.

Ekspozita përfshin gjithashtu rezultatet e analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, që hedhin dritë mbi historinë e diamantit dhe vjedhjen e tij gati një shekull më parë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Valë e re e protestave në Francë, paralajmërohen mbi 80 marshime në gjithë vendin

Franca po përballet me një valë të re protestash kundër rritjes së kostos së jetesës, ndërsa qytetarët u janë bashkuar nxënësve që prej më shumë...
14:17 | 17/10/2026

Vatikani: Papa Leo do të dalë sot nga spitali pas ndërhyrjes kirurgjikale

Papa Leo XIV është autorizuar të dalë nga spitali pas një operacioni për të hequr një tumor kanceroz nga mushkëria e tij. Kështu njoftoi Vatikani...
13:41 | 17/10/2026

Sulmet ruse vrasin civilë dhe godasin infrastrukturën energjetike të Ukrainës

Rusia e sulmoi Ukrainën gjatë natës me raketa balistike dhe raketa lundruese, si dhe me qindra dronë, duke vrarë civilë dhe duke dëmtuar ndërtesa banimi,...
13:09 | 17/10/2026