Mislav Karoglan doli për herë të parë para mediave si trajner i Partizanit. Tekniku kroat iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në prag të transfertës së nesërme kundër Vorës.
Të lidhura
None found
Çfarë ju bindi të zgjidhnit Partizanin?
Partizani është ndër klubet më të mëdha në Shqipëri dhe ofron kushte shumë të mira. Klubi ka edhe një kompleks, përfundimi i të cilit pritet së shpejti. Kam biseduar me kolegun tim nga Kroacia, që ka qenë më parë pjesë e Partizanit dhe më ka treguar shumë për klubin. Ai më përshkroi një organizim të shkëlqyer në çdo aspekt. Më tërheqin sfidat dhe dua ta rikthej Partizanin sa më shpejt në vendin që i takon. Kjo është një përvojë e re për mua: në klubet ku kam punuar më parë, synimi ka qenë pjesëmarrja në kompeticionet evropiane, ndërsa tani duhet të largohemi sa më shpejt nga fundi i tabelës.
Kush ju lidhi me Partizanin?
Fillimisht menaxheri im, e më pas kolegu kroat Zoran Zekic, i cili ma sugjeroi klubin dhe më dha informacione shumë pozitive. Ai ka kaluar këtu një përvojë të shkëlqyer. Vendosa të vij edhe sepse më pëlqen presioni që shoqëron skuadrat e mëdha. E kam provuar te Hajduk, Sherif Tiraspol dhe tani te Partizani. E shoh këtë klub me shumë potencial.
A është përcaktuar në kontratë objektivi i pjesëmarrjes në kupat e Evropës?
Nuk kemi diskutuar konkretisht për arritjen e objektivave. Për momentin, fokusi është të përmirësojmë gjithçka që ka nevojë për përmirësim. Mund të them se do të jap maksimumin.
Si e shihni ndeshjen e nesërme kundër Vorës?
Çdo takim ka rëndësi për ne, por tani po përqendrohem vetëm te sfida e radhës dhe jo te ndeshjet e tjera. Kam ndjekur Vorën dhe mënyrën se si luan. Është një ekip solid, me lojtarë cilësorë. E kemi analizuar kundërshtarin dhe lojën e tij, ndaj do të shkojmë atje për të synuar një rezultat pozitiv.






