Debat Dudushi-Hasimja! Analisti: Integrimi i bllokuar, duhet qeveri kujdestare. Gazetari: Shqipëria një nga vendet që po përparon më shumë

Analisti Ermal Hasimja dhe gazetari Alban Dudushi kanë debatuar në edicionin maratonë të lajmeve në Vizion Plus mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe zgjidhjen politike të situatës aktuale.
Hasimja argumentoi se vendi ka nevojë për një qeveri të re kujdestare, e cila të përmbyllë procesin e integrimit dhe të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas tij, qeveria aktuale nuk përfaqëson interesat e të gjithë shqiptarëve, por të grupeve të lidhura me të.
Nga ana tjetër, Dudushi kundërshtoi pretendimin se procesi i integrimit është bllokuar, duke iu referuar mbylljes së një kapitulli tjetër të negociatave pak ditë më parë. Ai u shpreh se Shqipëria është ndër vendet që po përparojnë më shumë në këtë proces.
Në debat, Hasimja solli në vëmendje shqetësimet e Bashkimit Evropian lidhur me disa ligje në fuqi në Shqipëri, duke përmendur paketën e maleve dhe ligjin për investimet strategjike. Sipas tij, këto problematika dëshmojnë se qeveria duhet të tërhiqet, në mënyrë që integrimi evropian të mos pengohet më tej.
Ermal Hasimja: Është bllokuar procesi i integrimit. Duhet një qeveri e re, duhet një qeveri kujdestare e cila duhet të marrë përsipër të përmbyllë procesin e integrimit dhe nga ana tjetër të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që s’i kemi pasur. Kjo më duket e vetmja zgjidhje. Zgjidhja që ofron Rama është që të vazhdojë ta mbulojë këtë protestë edhe pak dhe të dalë në sipërfaqe. Kjo nuk është zgjidhje.
Alban Dudushi: The që është bllokuar procesi i integrimit. Nuk e di nga e ke marrë këtë informacion, sepse para disa ditësh u mbyll një kapitull tjetër.
Ermal Hasimja: I keni ndjekur të gjitha shqetësimet që ka pasur BE-ja në raport me ligjet specifike. Për aq kohë sa Shqipëria vijon të ketë ligje problematike, paketa e maleve, ligji për investimet strategjike… me këto ligje nuk futesh dot në BE dhe kjo është e qartë.
Alban Dudushi: Nuk ka bllokim në asgjë. Shqipëria është një nga vendet që po përparon më shumë, të themi të vërtetën.
Ermal Hasimja: Arsyeja pse mendoj që qeveria duhet të tërhiqet, është në interes të integrimit. Aktualisht qeveria shqiptare nuk përfaqëson të gjithë shqiptarët. Përfaqëson interesat e klientëve të qeverisë.




