Nga Boldnews.al
Në këto ditë të nxehta proteste, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka “shkëlqyer” me heshtjen e tij. Reforma në Drejtësi i hoqi postit të kryeprokurorit kompetencën për të kontrolluar hetimin. Megjithatë, ai ka rolin koordinues të të gjitha njësive të prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm.
Në këtë fazë, kur protestat e studentëve e qytetarëve dhe përballja e tyre me efektivët e Policisë së Shtetit ka arritur në një fazë kritike, prokuroria ka nevojë emergjente për koordinim. Protestat kanë përfshirë disa qytete, ku, krahas Tiranës, përplasje të qytetarëve me policinë janë shënuar në Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër etj.
Në tre-katër ditët e para të protestës, Policia thotë se ka arrestuar disa qindra të rinj, të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë “kundërshtim të forcave të policisë”, “bllokim rrugësh”, “shkatërrim të pronës publike e private”, etj.
Kjo mori e madhe personash të arrestuar i dorëzohen prokurorëve, për të vlerësuar kushtet e arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë.
Me kapacitete të kufizuara, prokurorët, në më të shumtën e rasteve, janë “detyruar” që të pranojnë si të mirëqena aktet e përcjella nga Policia, pa pasur mundësinë që të kryejnë një analizë të plotë për rolin dhe veprimet e dyshuara të secilit individ.
Dhe, bazuar në referimet e policisë, prokurorët, sidomos duke nisur nga kjo e Shtunë, kanë nisur të kërkojnë caktimin e masës së arrestit me burg për të rinj, të cilët po ushtrojnë të drejtën natyrore të protestës, me kërkesën e vetme që qeveria t’i dëgjojë shqetësimet e tyre.
Një ditë më herët, të premten, prokurorët që shqyrtuan rastet e protestuesve të arrestuar në ditën e parë të protestës, u treguan më “tolerantë”. Në ditën që pasoi, prokurorë të tjerë u treguan më “dorështrënguar”, duke kërkuar arrestimin e disa prej protestuesve, të cilët u përballën më herët edhe me forcën e policisë.
Natyrisht, ligji u ka krijuar hapësirën prokurëve që të jenë “zot të çështjes”, në hetim dhe në gjykim. Ndaj, secili prej tyre, në varësi të fakteve që kanë në dispozicion, por edhe bindjes së tyre të brendshme, hartojnë kërkesat për caktimin e masave të sigurimit.
Megjithatë, diferenca mes prokurorëve, kur disa kërkojnë masa të buta e disa të tjerë masa të rënda, për situata pak a shumë të ngjashme, krijon një situatë që nuk duket aspak normale nga optika e protestuesve. Ata, të cilët gjenden nën emocionet e forta të protestës, i japin vetes të gjithë të drejtën se qeveria po nxit ose orienton Prokurorinë të tregohet sa më e ashpër ndaj tyre, me shpresën që protesta të shuhet dhe pushteti të qëndrojë i paprekur.
Për të shuar një dyshim të tillë, gjithnjë e në rritje, ishte e rekomandueshme unifikimi i praktikës që ndjekin prokurorët. Këtë mund ta bëjë Prokurori i Përgjithshëm, brenda kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore. Deri më tani, ende nuk është parë një iniciativë e tillë.
Nga ana tjetër, në protestë janë dy palë që përballen. Të rinjtë që protestojnë nga njëra anë dhe punonjësit e Policisë. Ligji ngarkon Policinë e Shtetit me detyrimin për të garantuar rendin, si edhe për të mbrojtur pronën publike e private.
Në pamjet e shpërndara gjerësisht në media e rrjete sociale janë evidentuar qartësisht episode, në të cilat efektivë të Policisë duket se e tejkalojnë në ekstrem detyrimin e tyre ligjor, duke dhunuar masivisht të rinjtë.
Ka pamje, në të cilat një të riu iu thye këmba dhunshëm dhe u tërhoq zvarrë, pavarësisht gjendjes së tij të rëndë. Raportimet flasin për një vajzë të re, e cila ka krisje të kafkës. Në raste të tjera, dyzina punonjësish policie rrahin me shkopinj gome protestues të vetëm të shtrirë në tokë.
Këto pamje krijojnë dyshimet se punonjës të Policisë, jo thjesht kanë tejkaluar detyrën e tyre, por mund të jenë përfshirë në vepra penale, me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e protestuesve.
Këto raste kanë nevojë për hetim. Por, deri më tani, Policia e Shtetit nuk ka njoftuar për referimin e ndonjë rasti të tillë në Prokurori. Ndoshta për shkak të vlerësimit jo të drejtë ose edhe për solidaritet mes kolegësh, nuk ka asnjë punonjës policie që është dërguar për hetim në Prokurori, të paktën për veprime arbitrare. Megjithëse rastet kanë qenë mëse të dukshme, deri më tani është njoftuar vetëm për pezullimin administrativ të dy efektivëve.
Gjithashtu, edhe Prokuroria nuk rezulton të ketë nisur hetim për ndonjë rast të tillë, ku të dyshuar janë të përfshirë punonjës policie. Ndoshta për faktin se nuk ka asnjë referim ose edhe sepse nuk ka pasur kohë të shohë pamjet filmike të shpërndara gjerësisht në media e rrjete sociale.
Këtu përfshihet sërish roli i Prokurorit të Përgjithshëm. Brenda kompetencës dhe hapësirës së tij, institucioni qendror i Akuzës mund të ndërmerrte një rol më pro-aktiv, duke sugjeruar apo orientuar ngritjen e struktura përkatëse që të monitoronin situatën në panoramë shumë-planëshe, përfshirë edhe ato që raportohen në media.
Në këtë mënyrë, mund të jepte kontribut të qenësishëm në evidentimin e shkeljeve të mundshme penale nga të gjithë aktorët e përfshirë në protestat disa-ditore.
Por, kryeprokurori Olsian Çela, i cili pret përfundimin e mandatit të tij 7-vjeçar pas dy muajsh, duket se nuk e ka parë të arsyeshme t’i japë zyrës së tij një rol shumë më domethënës, një rol, në të cilin të krijonte bindjen edhe tek protestuesit se prokuroria është asnjëanëse dhe jo pjesë e pushtetit, të cilët të rinjtë i janë kundërvënë prej ditësh.













