QKUM reagon pas bllokimit të ambulancës në protestë: Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar pas incidentit të regjistruar gjatë protestës në Tiranë, ku një ambulancë u bllokua nga disa protestues, ndërsa po shkonte për të dhënë ndihmë mjekësore.
Në një deklaratë për mediat, QKUM u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të mos pengojnë lëvizjen e ambulancave, duke theksuar se çdo vonesë mund të rrezikojë jetën e personave që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
Sipas QKUM-së, gjatë ditëve të protestave, në Tiranë, përveç fluksit të zakonshëm prej 250–280 vizitash dhe ndërhyrjesh në ditë, janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë.
Institucioni thekson se ambulancat dhe ekipet mjekësore janë në shërbim të çdo qytetari, pa dallim, ndërsa kërkon që çdo pretendim për përdorimin e tyre jashtë misionit të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.
“Ambulancat janë në shërbim të jetës. Mos i pengoni. Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë”, thuhet në deklaratën e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.




