Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka folur për efektivët e policisë që kanë mbetur të plagosur gjatë këtyre ditëve të protestave të dhunshme.

Sipas tij, në Tiranë dhe Shkodër janë 132 punonjës policie që janë sulmuar me vida, mjete piroteknike dhe lëndë plasëse.

“Gjatë tubimeve të dhunshme, policia e shtetit përdor procedurat standarde, në përputhje me kuadrin ligjor. Dua të theksoj se policët janë sulmuar me vida, lëndë piroteknike, bombë molotov. Në Tiranë dhe Shkodër janë 132 punonjës policie të lënduar, disa prej tyre vijojnë të marrin mjekim”, tha Hita.

Ai u shpreh se në rrjetet sociale, në grupe të hapura së fundmi, bëhet thirrje për dhunë ndaj policisë, duke nxitur sulme dhe shkatërrim në masë

“Gjithashtu, dua të bëj me dije se në rrjetet sociale, kryesisht në grupe të hapura së fundmi në Telegram, po bëhen thirrje të vazhdueshme për ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të Policisë. Këto thirrje, sipas të dhënave që disponohen në kuadër të hetimeve penale, synojnë nxitjen e sulmeve me çdo mjet të mundshëm, përfshirë lëndë djegëse dhe plasëse.

Edhe gjatë paradites së sotme, në këto rrjete janë publikuar thirrje që protestuesit e maskuar të sigurojnë mjete të ndryshme për të sulmuar Policinë dhe për t’u vënë zjarrin automjeteve të saj.

Përballë kësaj situate, në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit ka marrë masat për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këto veprime, si dhe për t’iu përgjigjur çdo akti kriminal me forcën e ligjit, në mbrojtje të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private.

Në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe të mbrojtjes së jetës dhe pronës, u bëj thirrje personave që kryejnë këto akte dhune të ndalojnë menjëherë veprimet e tyre të paligjshme. Njëkohësisht, u bëj thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, të cilët nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre”, tha Hita.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, janë marrë të gjitha masat për hetimin e tyre. Ai shtoi se siguria e qytetarëve mbetet detyrimi jonë.

Ndërkohë i pyetur për përdorimin e plumbave të gomës nga ana e policisë gjatë ditës së sotme, Hita u shpreh se janë mjete që lejohen, por në mënyrë të kufizuar.

“Policia ka përdorur gjithmonë mjetet që lejohen, në mënyrë të kufizuar. Përdoren mjetet si në vendet e Bashkimit Europian, pajisje të certifikuara për këtë qëllim. Kemi sekuestruar disa sende dhe prova materiale që qëllohen drejt policëve. Një ndër punonjësit ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e gojës, në nofull”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.

Gjatë kësaj dalje për mediat, Hita vijoi duke thënë se nuk pajtohet me protestuesit e plagosur, por as me dhunën që ushtrohet ndaj punonjësve të policisë, që gjithashtu janë plagosur.

“Janë sulmuar në mënyrë të paprecedentë. I kemi bërë publike, e përmenda që ka punonjës të pezulluar dhe ata janë me emra, nuk janë anonimë. Po veprojmë sipas procedurave. Nuk është fare e pranueshme sesi ata protestues të dhunshëm plagosin çdo ditë punonjës të policisë”, përfundoi ai.

Top Channel