Tifozët e Tiranës kanë zgjedhur të shprehin mbështetjen e tyre për protestat që po zhvillohen në kryeqytet, duke braktisur tribunat gjatë ndeshjes ndaj Laçit, e vlefshme për javën e shtatë të “Abissnet Superiore”.
Grupi i tifozëve “Tirona Fanatics” qëndroi për një kohë të shkurtër në stadiumin e Vorës, ku po zhvillohej përballja mes bardhebluve dhe kurbinasve, përpara se të largohej në shenjë solidariteti me protestuesit.
Mesazhi i tyre u përcoll edhe përmes një banderole me mbishkrimin: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim”. Me këtë veprim, tifozët e Tiranës shprehën mbështetjen për protestën e studentëve, e cila prej pesë ditësh ka vijuar në kryeqytet dhe është shtrirë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Vendimi për t’u larguar nga stadiumi tregon se ultrasit kanë zgjedhur t’i japin përparësi kauzës së protestuesve, duke e kthyer qëndrimin e tyre në një mesazh solidariteti përtej futbollit.
“Tirona Fanatics” nuk janë të vetmit që kanë mbajtur një qëndrim të tillë. Edhe grupe të tjera tifozësh në vend, mes tyre “Ultras Guerrils” të Partizanit, “Arrakat Boys” të Elbasanit dhe tifozë nga Shkodra, kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat.
Kështu, përkrah rivalitetit sportiv, tifozëritë e disa skuadrave shqiptare janë bashkuar rreth një mesazhi të përbashkët, duke e shprehur qëndrimin e tyre përmes pranisë në protesta dhe simbolikës në stadiume.
© SYRI.net
Tirana triumfon ndaj Laçit me golin e Dacit, bardheblutë i afrohen Dinamos në renditje
‘Dopieta’ e Pedro Netos i jep fitoren Chelsea-t, 'blutë' triumfojnë në transfertën ndaj Evertonit
VIDEO/ Baena shpëton Atletico Madridin në fund, madrilenët mposhtin Espanyolin me një gol spektakolarBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: