Radio “Europa e Lirë” pasqyron protestën e sotme në Tiranë
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Tiranë vazhduan edhe në mbrëmjen e së shtunës, në ditën e pestë të protestave që kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Pas tubimit para Ministrisë së Arsimit, përleshjet u shtrinë në qendër të kryeqytetit, edhe pranë Kryeministrisë, ku u dislokuan edhe forcat speciale RENEA. Ndërtesa publike, kontejnerë mbeturinash dhe automjete u vunë në flakë.
Protestuesit hodhën gurë, bomba molotov dhe mjete piroteknike drejt policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome për t’i shpërndarë.
Në një konferencë për media, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, konfirmoi përdorimin e plumbave të gomës, duke thënë se përdorimi i tyre lejohet në mënyrë të kufizuar. Në një konferencë për media, Hita njoftoi gjithashtu se shtatë policë janë pezulluar nga detyra, ndaj të cilëve ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të kompetencave.
Kongresisti amerikan Joe Wilson shprehu shqetësim për përshkallëzimin e krizës në Shqipëri dhe i bëri thirrje Qeverisë të përmbahet nga çdo dhunë ndaj protestuesve.
“Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale”, shkroi ai në X, duke shtuar se të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre.
Sipas të dhënave të Policisë, deri më tani janë ndaluar mbi 500 protestues, 330 prej të cilëve janë liruar. Rreth 120 policë dhe 45 protestues janë regjistruar si të lënduar, ndonëse ka të ngjarë që shumë raste të lëndimeve të protestuesve të mos jenë regjistruar.
Avokati i Popullit, Endrit Shabani ka publikuar gjetjet paraprake të monitorimit të kryer gjatë katër ditëve të protestave në vend, duke gjetur shqetësime që lidhen me kushtet e ndalimit, trajtimin e të miturve dhe pretendimet për përdorim të dhunës ndaj personave të privuar nga liria.
Në një deklaratë për mediat, Shabani bëri të ditur se ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kanë monitoruar situatën në komisariatet nr. 1 deri në nr. 6 në Tiranë, në Bllokun e Sigurisë, në Spitalin e Traumës, si dhe në komisariatet e Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.
Sipas Avokatit të Popullit, gjatë 72 orëve të fundit janë kontaktuar 214 persona të ndaluar, ndërsa janë zhvilluar intervista konfidenciale me të arrestuar, të shoqëruar, persona të lënduar, mjekë dhe psikologë.
Avokati i Popullit dënoi të gjitha format e dhunës që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit.
“Dënojmë dhunën ndaj policëve. Dënojmë dhunën ndaj protestuesve. Dënojmë dëmtimin e pronës publike dhe të pronës private, përfshirë bizneset”, thuhet në deklaratë.
Cilat janë kërkesat e protestuesve?
Studentët thonë se protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesë kryesore kanë dorëheqjen e Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama. Atyre u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme. Mësimi është bojkotuar në universitete në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, si dhe në disa gjimnaze të kryeqytetit.
Ata thonë se janë të zemëruar edhe për shitjen e zonave të paprekura të bregdetit shqiptar për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Trazirat përbëjnë sfidë për Ramën, i cili fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar, duke premtuar se do ta udhëheqë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai synon që vendi të anëtarësohet në BE që në vitin 2028.
“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.
“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai./REL/


