Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë do të shqyrtojë mëngjesin e së dielës, kërkesat për vleftësimin e arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurisë për dhjetëra persona të arrestuar pas protestave në kryeqytet.
Sipas dy shkresave të gjykatës, seancat gjyqësore janë planifikuar të zhvillohen në Dhomën Penale, duke nisur përkatësisht në orën 08:00 dhe 08:30.
Në shkresën e parë, të firmosur nga gjyqtari Sokol Mara, janë renditur 43 persona për të cilët kërkohet shoqërimi në gjykatë.
Seanca për vleftësimin e ligjshmërisë së ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit është caktuar për në orën 08:00 e në vijim.
Ndërsa në shkresën e dytë të firmosur nga gjyqtarja Amarilda Sulaj,janë përfshirë edhe 15 persona të tjerë, për të cilët do të shqyrtohen kërkesat për vleftësimin e arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit.
Kjo seancë është planifikuar të nisë në orën 08:30.














