Policia dhe protestuesit u përleshën dhunshëm të shtunën në Paris dhe në qytete të tjera të Francës, ndërsa gjysmë milioni njerëz marshuan kundër rritjes së vrullshme të inflacionit. Njërit prej demonstruesve iu këput dora nga një shpërthim, pati disa zjarre dhe dhjetëra dyqane u plaçkitën nga grabitësit.
Trazirat e përhapura vijnë pas disa javësh protestash studentore dhe e thellojnë pasigurinë politike në Francë, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet që do të mbahen pas gjashtë muajsh, për të zgjedhur pasardhësin e presidentit Emmanuel Macron.
“Në Republikën tonë nuk ka vend për dhunë. Ata që kanë shkatërruar, kanë sulmuar prefekturat dhe bizneset, madje kanë plaçkitur edhe bashkitë tona, do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen”, shkroi Macron vonë të shtunën në një postim në platformën X. “Shpreh mbështetjen e kombit për forcat e rendit, të cilat garantojnë të drejtën për të protestuar.”

Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, dënoi “dhunën me intensitet të jashtëzakonshëm.”
“Demonstratat paqësore kanë vendin e tyre të ligjshëm në Republikën tonë. Zjarrvëniet e qëllimshme, plaçkitjet dhe sulmet nuk kanë absolutisht vend. Sot, grupet e ekstremit të majtë kanë organizuar akte dhune në disa qytete franceze; atyre u janë bashkuar edhe persona me sjellje kriminale, të cilët janë përfshirë në plaçkitje dhe shkatërrime”, shkroi ai në platformën X.

Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 550 mijë persona morën pjesë në demonstrata dhe u kryen afërsisht 400 arrestime, ndërsa sindikata CGT deklaroi se numri i pjesëmarrësve arriti në 800 mijë.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve të maskuar në Paris dhe në qytete të tjera, të cilët hodhën sende të forta dhe fishekzjarrë. Në kryeqytet, disa makina të parkuara u dogjën, ndërsa tymi u ngrit mbi qendrën e qytetit.
Në qytetin jugor të Saint-Étienne, një protestuesi iu këput dora nga shpërthimi i një granate policore për kontrollin e turmave.
Ky rast vjen pas një incidenti më 5 tetor, kur një 15-vjeçari iu këput dora nga shpërthimi i një granate trullosëse të policisë gjatë një proteste tjetër në qytetin verior të Lens.
Në Lyon, protestuesit i vunë zjarrin një zyre turistike në qendër të qytetit. Ndërkohë, në qytetet Marseille dhe Lille, ata hynë me forcë në ndërtesat e bashkive, ndërsa në Bordeaux sulmuan një kompleks policor. Protestuesit shkatërruan ambientet përpara se të largoheshin.
Në qytetin e Limoges, flakët arritën deri në çatinë e bashkisë, pasi një grup protestuesish sulmoi ndërtesën pas demonstratave.
Dhjetëra dyqane u plaçkitën në Paris, Marseille, Nice, Bordeaux dhe Lille, ku u grabit një dyqan i Apple.
Një turmë prej më shumë se 300 protestuesish u përpoq të marshonte përgjatë bulevardit Champs-Élysées në Paris, ku ndodhen dyqanet kryesore të markave luksoze. Ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për t’ua bllokuar rrugën, protestuesit brohoritën “Të gjithë policët janë bastardë” (ACAB), një prej sloganeve kryesore të protestës.



Komente
Komento