AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Skandali i videove intime, pasqyra e një Shqipërie ende patriarkale

Gjyqi moral i shoqërisë ndaj videove intime të grave, të filmuara fshehurazi dhe të shpërndara pa pëlqimin e tyre, dëshmon se Shqipëria ende e ka të vështirë ta pranojë gruan si qenie me dëshira seksuale, ndërsa njëkohësisht dështon t’u garantojë viktimave të ekspozimit intim pa pëlqim mbrojtjen e nevojshme ligjore.

Vasilika LaçingaVasilika Laçi
18 seconds më parë
në Opinion
Koha e leximit: 9 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
cover v10
Ilustrimi: Igor Vujcic/BIRN.

Një seri videosh intime, që qarkullojnë në WhatsApp dhe ku shfaqen personazhe të njohur në momente intime, ka shkaktuar tronditje në Tiranë. Skandali nxori në pah një realitet shqetësues: këngëtare dhe aktore, të njohura e më pak të njohura, dyshohet se janë filmuar fshehurazi në studion e Adrian Hilës, një kompozitor me ndikim të konsiderueshëm, i cili shihet si një figurë e aftë të ndërtojë apo të shkatërrojë karriera.

Më 30 shtator, pamjet u publikuan në internet dhe, ndonëse u hoqën shpejt, vijuan të qarkullonin në rrjetet sociale dhe në aplikacionet e komunikimit. Sipas raportimeve, regjistrimet ishin realizuar me kamera të fshehta, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e personave të filmuar. Ndërsa skandali merrte përmasa më të gjera, u bë e ditur se mund të ishin prekur rreth 17 artistë dhe personazhe të tjerë publikë, gra dhe burra.

Opinioni publik u kthye në një mekanizëm persekutimi, ndërsa rrjetet sociale morën rolin e gjykatësit dhe të jurisë, duke i vënë gratë e përfshira në bankën e të akuzuarve dhe duke i kryqëzuar ato publikisht. Shqipëria duket se ende nuk është gati ta pranojë gruan si qenie seksuale, ndërsa skandali u trajtua kryesisht përmes filtrit të moralit dhe paragjykimeve shoqërore.

Këto gra ishin të martuara. Pra, fajtore! Kishin pasur marrëdhënie edhe me një burrë të pushtetshëm, çka dukej se ua shtonte edhe më shumë fajin: fajtore se kishin shkëmbyer seksin me mundësinë për të pasur sukses. “Zoti i ruajtë ata që i shpërndanë këto video”, shkruhej në një koment në një faqe në Instagram, ku lavdëroheshin pikërisht ata që kishin mundësuar përhapjen e materialit intim.

Mbeta e habitur që disa njerëz në këtë vend mund ta konsideronin një akt të tillë si shërbim ndaj publikut. Publikimi i imazheve intime pa pëlqimin e personave të përfshirë përbën një akt dhune të rëndë, në një shoqëri që u kërkon grave të ruajnë një imazh publik të përkryer, pa asnjë cen. Çdo shmangie nga rolet e paracaktuara të bashkëshortes së përkushtuar, nënës së devotshme apo shenjtores duket se u jep të tjerëve të drejtën t’i vënë nën lupën e opinionit publik dhe t’i dënojnë ato moralisht.

Pas përhapjes së videove, skandali pushtoi hapësirën mediatike. Emisionet televizive nxituan të jepnin gjykimet e tyre. Mes komenteve pa fund dhe dënimeve morale, të paktë ishin ata që shfaqën shqetësim për gratë dhe burrat, jeta private e të cilëve ishte përmbysur, me pasoja potencialisht shkatërruese.

Bukë dhe cirk

vlora 2
Vlora Hyseni, ish-kryetare e SHISH-it, e shkarkuar tashmë nga detyra. Foto: LSA.

Shpërndarja e videove më solli ndër mend regjistrimet hipotetike që lidhen me Ergys Agasin. Biznesmeni, i dyshuar për korrupsion dhe krim të organizuar, ka shkëmbyer qindra komunikime me Vlora Hysenin, e cila në atë kohë drejtonte Shërbimin Informativ të Shtetit, SHISH. Prokurorët pretendojnë se Hyseni mund të ketë nxjerrë informacione të klasifikuara, disa prej të cilave, sipas raportimeve, janë gjetur në zotërim të Agasit. Më pas, ajo u vendos në arrest shtëpie dhe u pezullua nga detyra.

Kjo çështje është cilësuar si një nga skandalet më të rënda të sigurisë kombëtare në Shqipëri. Thashethemet që qarkullonin në rrjetet sociale dhe në faqet e lajmeve sugjeronin se Agasi kishte filmuar në zyrën e tij zyrtarë të lartë të qeverisë, të cilët dyshohej se përfshiheshin në akte korrupsioni dhe në marrëdhënie intime. Shumëkush priste që këto video të publikoheshin.

Por skandali që përfshiu personazhet e njohur duket se e largoi vëmendjen e një pjese të publikut nga çështja Agasi-Hyseni, si dhe nga akuzat për korrupsion e veprimtari kriminale që kanë nxitur kritika dhe protesta kundër qeverisë së Edi Ramës.

Zëra të opozitës argumentuan se mbulimi mediatik sensacionalist e zhvendosi vëmendjen publike nga përgjegjësia e shtetit dhe akuzat ndaj drejtueses së shërbimit informativ. Është e vështirë të përcaktohet nëse të dyja çështjet kishin lidhje me njëra-tjetrën, por, pavarësisht kësaj, skandali i videove intime shërbeu pikërisht për këtë qëllim.

Në diskursin publik shqiptar përmendet shpesh shprehja “populli do bukë dhe cirk”, për të përshkruar mënyrën se si qeveria dhe kryeministri Rama menaxhojnë krizat dhe opinionin publik. Kjo lidhet drejtpërdrejt me konceptin e lashtë romak panem et circenses – bukë dhe cirk – sipas të cilit argëtimi dhe spektakli përdoreshin për ta mbajtur popullsinë të qetë dhe për ta shpërqendruar nga problemet e vërteta.

Në Shqipëri, ekziston perceptimi se Rama e përdor këtë metodë, duke e kthyer spektaklin në një instrument politik. Si rrjedhojë, shprehja “populli do cirk” është bërë pjesë e fjalorit të kritikëve të qeverisë, të cilët e përdorin për të shpjeguar pse debati publik dominohet shpesh nga ngjarje sensacionale, në vend që të përqendrohet te çështjet më të thella politike.

Duke iu kthyer çështjes në fjalë, në shumë prej debateve televizive të zhvilluara pas 30 shtatorit, shkelja themelore – shpërndarja e imazheve intime pa pëlqimin e personave të përfshirë – nuk u vu sa duhet në qendër të vëmendjes. Madje, gratë e prekura nga kjo dhunë u lanë jashtë vëmendjes, në vend që të ishin në qendër të diskutimit.

Edhe nëse të mbijetuarat arrijnë të kapërcejnë turpin dhe ndjenjën e fajit që ushqejnë si diskursi publik, ashtu edhe ai i brendësuar, i ngritur mbi vetëgjykimin, gjetja e këshillimit të qartë ligjor dhe kuptimi i pozitës së tyre juridike nuk është aspak e lehtë. Ato duhet të orientojnë veten në një rrjet të ndërlikuar dispozitash ligjore, vetëm për të arritur deri te pika ku mund të kuptojnë nëse kanë bazë për të ngritur një çështje ligjore.

Në Shqipëri, siç thekson analiza e ekspertes ligjore Megi Reci, nuk ekziston një dispozitë ligjore specifike që ta kriminalizojë drejtpërdrejt abuzimin seksual në internet përmes imazheve. Në vend të kësaj, disa dispozita të Kodit Penal trajtojnë aspekte të caktuara të këtij abuzimi, përmes legjislacionit që mbron privatësinë dhe atij që synon të luftojë veprat penale seksuale. Kjo do të thotë se viktimat mund të kenë mundësi të kërkojnë mbrojtje ligjore, por legjislacioni ende nuk i trajton të gjitha format e abuzimit seksual përmes imazheve në mënyrë të qartë dhe gjithëpërfshirëse.

Dispozita kryesore është neni 121, i cili kriminalizon ndërhyrjen e padrejtë në jetën private. Ai përfshin përdorimin e pajisjeve për të përgjuar, regjistruar ose transmetuar fjalë apo imazhe pa pëlqimin e personit, si dhe ruajtjen ose publikimin e materialeve të tilla.

Neni 108/a trajton ngacmimin seksual, përfshirë edhe veprimet e kryera në internet, dhe parashikon dënimin me burgim nga një deri në pesë vjet. Në praktikë, këto dispozita mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje në rastet kur imazhet intime regjistrohen ose shpërndahen pa pëlqim, apo kur sjellja në internet përbën ngacmim seksual. Megjithatë, ato nuk mbulojnë domosdoshmërish çdo formë të abuzimit seksual përmes imazheve.

Boshllëqe të tjera mbeten edhe në kuadrin ligjor. Neni 121/a trajton përndjekjen, por nuk e shtrin shprehimisht zbatimin e tij te sjelljet në internet. Neni 119/a mbulon përmbajtjet diskriminuese të shpërndara në mënyrë elektronike, por kufizohet te materialet raciste ose ksenofobike. Ndërsa neni 119/b trajton fyerjet publike përmes mjeteve elektronike, kur ato lidhen me përkatësinë etnike, kombësinë, racën ose fenë, por nuk përfshin shprehimisht gjininë, orientimin seksual apo identitetin gjinor.

Kjo do të thotë se personat që bëhen shënjestër për shkak të gjinisë ose identitetit të tyre mund të mos gjejnë mbrojtje të mjaftueshme në këto dispozita. Për më tepër, disa vepra penale klasifikohen si kundërvajtje penale dhe jo si krime, çka mund të sjellë dënime me gjobë në vend të burgimit, në varësi të dispozitës së zbatueshme dhe vendimit të gjykatës.

Është koha t’i japim fund kulturës së turpit

albania court of appeals 1 e1791815877978
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Foto: BIRN.

Viktimat përballen edhe me pengesa praktike në përpjekjet për të vënë drejtësi. Në rastet që lidhen me ndërhyrjen e padrejtë në jetën private, atyre mund t’u kërkohet të nisin vetë procedurat, t’i paraqesin kërkesat në gjykatë dhe të marrin pjesë aktivisht në procesin gjyqësor. Nëse nuk paraqiten, çështja mund të pushohet. Këto kërkesa ushtrojnë një trysni të konsiderueshme mbi viktimat, të cilat mund të jenë duke u përballur tashmë me vuajtje psikologjike, stigmatizim ose frikën e ekspozimit të mëtejshëm.

Legjislacioni nuk i trajton në mënyrë të përshtatshme as disa forma të abuzimit digjital, përfshirë kërcënimet për shpërndarjen e imazheve intime, manipulimin ose ndryshimin e përmbajtjeve intime dhe përndjekjen në internet. Si pasojë, viktimat mund ta kenë të vështirë të sigurojnë një përgjigje ligjore efektive, veçanërisht kur abuzimi përfshin teknologji të reja ose sjellje që nuk përfshihen qartësisht në veprat penale ekzistuese. Fusha e kufizuar e zbatimit të dispozitave për përmbajtjet diskriminuese bën që dëmet e shkaktuara për arsye gjinore ose identitare të mos njihen sa duhet nga ligji.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Avokati i Popullit kanë bërë thirrje për ndryshime ligjore, me qëllim që kuadri ligjor shqiptar të përafrohet më shumë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe jurisprudencën ndërkombëtare. Këto reforma do të ndihmonin në forcimin e mbrojtjes kundër shpërndarjes së imazheve intime pa pëlqim, si dhe në njohjen e një game më të gjerë dëmesh të shkaktuara përmes teknologjive digjitale. Në fund të fundit, synimi është që ligji të pasqyrojë realitetin e abuzimit në internet, t’u ofrojë viktimave rrugë më të qarta për të kërkuar drejtësi dhe të njohë seriozitetin e këtyre shkeljeve.

Në një aspekt pozitiv, Shqipëria ka ndërmarrë një hap përpara me krijimin e shërbimit kombëtar eSIGURT.al, një nismë e shoqërisë civile që synon mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna në internet. Sipas Raportit Kombëtar 2025 të iSIGURT.al, janë raportuar 615 incidente, një rritje prej 46 për qind krahasuar me vitin pararendës. Rreth 71 për qind e raportimeve janë bërë nga vajzat, ndërsa gratë dhe vajzat përbëjnë 72 për qind të rasteve të prekura.

Kjo rritje e ndjeshme nxjerr në pah nevojën për shërbime të specializuara që trajtojnë ngacmimin, kërcënimet, përndjekjen dhe shpërndarjen e imazheve intime pa pëlqim. Platforma mundëson raportimin konfidencial të rasteve, ofron udhëzime për sigurinë digjitale dhe mbështetje psikosociale, me synimin për të fuqizuar viktimat dhe për të përmirësuar reagimin institucional. Megjithatë, që ndikimi i saj të jetë real dhe afatgjatë, nevojitet një angazhim institucional i qëndrueshëm dhe një mbrojtje ligjore edhe më e fortë.

Shqipëria mbetet një shoqëri thellësisht patriarkale, siç dëshmohet edhe nga toni i theksuar moralizues që ka karakterizuar debatin publik për këtë çështje. Gratë e njohura, gazetaret dhe politikanet shpesh bëhen shënjestër e fyerjeve të rënda. Në shoqëri si ajo shqiptare, dëmi që shkaktojnë shpifjet në internet, fyerjet dhe abuzimi përmes imazheve ndaj grave mund të jetë i thellë. Këto akte mund të sjellin pasoja të rënda psikologjike, përfshirë ankthin, depresionin dhe izolimin shoqëror, duke dëmtuar njëkohësisht mundësitë profesionale dhe besueshmërinë e tyre.

“Nuk besoj se këto gra do të guxojnë të dalin nga shtëpia”, shkruante një komentues në internet, duke iu referuar grave dhe vajzave të përfshira. Barra e mbrojtjes së vetes përballë një diskursi armiqësor dhe moralizues i vendos gratë në një pozitë të cenueshme, ku jeta e tyre private përdoret si armë për t’i heshtur ose për t’ua zhvlerësuar fjalën. Në një plan më të gjerë, strukturat patriarkale përforcojnë stereotipe të dëmshme dhe normalizojnë armiqësinë me bazë gjinore, duke i lënë gratë dhe vajzat të ekspozuara ndaj pabarazive sistemike.

Ndërkohë, shumica e atyre që u dalin në mbrojtje grave e bëjnë këtë nga një këndvështrim moralizues, me argumentin se “të gjithë bëjmë gabime”. Një qasje krejt tjetër kanë zgjedhur disa aktiviste e aktivistë të grupeve informale feministe dhe antifashiste, të cilët kanë dalë në rrugë dhe kanë reaguar në internet për të përcjellë mesazhin se shoqëria, por edhe vetë gratë, duhet ta ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si i perceptojnë marrëdhëniet intime të grave. Në muret e Tiranës, ata kanë shkruar mesazhe që denoncojnë turpin si një konstrukt patriarkal, duke shpallur se “gratë e mira bëjnë seks”.

Ata u kanë bërë thirrje grave ta flakin turpin dhe ta mbajnë kokën lart. Ky reagim nënvizon se këto gra meritojnë empati, mbrojtje dhe drejtësi, jo stigmatizim. Një shoqëri që e minimizon abuzimin dhe e kthen dhunën ndaj grave në spektakël, në thelb u del në mbrojtje autorëve dhe e normalizon dëmin e shkaktuar. Mesazhi është i qartë: për ta thyer këtë cikël, komunitetet duhet t’i dënojnë publikisht abuzuesit, të kërkojnë përgjegjësi dhe të garantojnë që gratë dhe vajzat të mund të jetojnë me dinjitet dhe të sigurta, si në internet, ashtu edhe jashtë tij.

Një tjetër mjet i dobishëm është StopNCII.org, një platformë globale e krijuar për të ndaluar përhapjen në internet të imazheve intime të shpërndara pa pëlqim. Ajo përdor gjurmë digjitale të sigurta (hash-e), në vend që të ruajë vetë fotografitë. Platforma mund të përdoret në gjuhë të ndryshme të Ballkanit. Ajo u mundëson viktimave të bllokojnë përmbajtjet e dëmshme në platformat kryesore, duke arritur një normë suksesi prej mbi 90 për qind në heqjen e tyre, ndërkohë që mbron edhe privatësinë. Ky mjet është veçanërisht i dobishëm në shoqëritë patriarkale, ku gratë dhe vajzat përballen me stigmatizim dhe fajësim të viktimave, pasi u ofron mbrojtje të menjëhershme dhe një mënyrë për të rifituar dinjitetin në hapësirat digjitale.

Vasilika Laçi është eksperte e të drejtave të njeriut dhe studiuese feministe, me përvojë në programet e zhvillimit, shoqërinë civile dhe organizatat sociale.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Etiketa: Adrian HilaDrejtesi gjinoreErgys AgasiShqipëriaTe drejtat digjitalete drejtat e graveVideo IntimeVideoskandaliVlora Hyseni
cover v10

Skandali i videove intime, pasqyra e një Shqipërie ende patriarkale

07:38 | 18/10/2026
dsc 4415

Ambasada amerikane dënon dhunën gjatë protestave

23:15 | 17/10/2026
whatsapp image 2026 10 13 at 7.20.11 pm

Organizatat dokumentojnë 31 raste të dhunës policore gjatë protestave, kërkojnë hetimin e drejtuesve

23:01 | 17/10/2026
whatsapp image 2026 10 17 at 5.39.25 pm

Policia shpërndan me forcë protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

22:47 | 17/10/2026
dsc 4569

Tirana në kaos, policia përdor plumba gome ndaj protestuesve

22:23 | 17/10/2026
whatsapp image 2026 10 15 at 12.56.49 pm

Psikoterapistët kërkojnë hetim të dhunës policore ndaj të miturve në protesta

11:07 | 17/10/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.