Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e dhunshme në Tiranë, duke deklaruar se ka zgjedhur të mos përfshihet drejtpërdrejt në përplasjet e ditëve të fundit, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
“Ja ku jam, nuk kam ikur. Gjithsesi, vendosa të jem këtu sot, të përpiqem të them gjërat e mia”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se gjatë ditëve të fundit është përpjekur të shmangë atë që e cilësoi si një kurth dhune që kërkon gjak.
“Jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e të koordinoj një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës, që kërkon gjak. Kërkohet gjak”, deklaroi kryeministri.
Rama rikujton 21 Janarin: U vranë katër protestues
Gjatë fjalës së tij, Rama bëri një krahasim mes protestave aktuale dhe ngjarjeve të 21 Janarit 2011, kur katër protestues u vranë me armë zjarri në bulevardin përpara Kryeministrisë.
Ai rikujtoi se gjatë protestës së vitit 2011 pati disa vatra zjarri, por, sipas tij, institucionet nuk u sulmuan dhe nuk u përdorën bomba molotov.
“Janë ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar, ku pati disa zjarre sporadike tek tuk, në këtë perimetër, ku nuk u prek asgjë, asnjë institucion. Ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe ku u vranë me plumba, 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot, nuk shkonin dot as në spital”, theksoi Rama.
Protestat në Tiranë, kërkohet largimi i kryeministrit
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur Tirana është përfshirë prej disa ditësh nga protesta të shoqëruara me akte dhune, dëmtime të pronës dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Protestuesit kërkojnë largimin e Ramës nga detyra dhe shprehin pakënaqësi për korrupsionin, problemet në arsim dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Përplasjet e ditëve të fundit kanë sjellë edhe të lënduar e të arrestuar.


