Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat në Shqipëri, duke komentuar dhunën dhe përplasjet e shënuara gjatë tubimeve. Ai deklaroi se dëmet materiale “nuk janë të vogla, por rregullohen”, ndërsa theksoi se është përpjekur të mos bjerë në “kurthin e dhunës së verbër”. Rama argumentoi se hedhja e gurëve ndaj efektivëve të policisë mund të ketë pasoja të rënda, duke nënvizuar se “ajo armë mund të bëhet edhe vdekjeprurëse”.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i qeverisë hodhi poshtë idenë se protestat drejtohen nga studentët, duke pretenduar se pas akteve të dhunës qëndron një “grup zjarri i paguar”. Rama u shpreh gjithashtu se, sipas tij, nuk po sfidohet vetëm qeveria, por edhe e ardhmja europiane e vendit, duke deklaruar: “Sfidohet Shqipëria europiane, Shqipëria e Bashkimit Europian e vitit 2030”.
Kryeministri akuzoi kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se qëndron pas protestave të dhunshme, duke iu referuar atij me gjuhë të ashpër: “Ai matuf që del e bën thirrje për dhunë nga mëngjesi deri në darkë”. Rama vlerësoi gjithashtu qëndresën e efektivëve të policisë, duke i cilësuar si “heronj të shtetit” dhe duke theksuar sakrificat e familjeve të tyre përballë situatës së krijuar.
"Para 2 ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash", u shpreh gjithashtu Rama.