Aktualitet Politikë

Protestat, kryeministri Edi Rama në komunikim live!

“Protestat e dhunshme në Tiranë kërkojnë gjak”, thotë kryeministri Edi Rama, i cili është në një komunikim live kushtuar zhvillimeve të fundit, duke shtuar se po përpiqet të mos bjerë në këtë kurth. Sipas tij, të maskuarit nuk janë studentët, ndërsa për dhunën theksoi se “frymëzohet nga një dorë e huaj”.

Dhuna nuk ka lidhje me rininë shqiptare.

Ndërsa në protesta i kërkohet dorëheqja, Rama nënvizoi se kërkesa për dorëheqjen e tij është legjitime në një sistem demokratik, por vuri në dukje se duhet të shoqërohet me argumente e një përballje përmes dialogut.

Kam dëgjuar “burg, burg” e “jepe dorëheqjen” çdo ditë, por asnjë kërkesë.

Në përgjigje të kritikave se qeveria nuk ka reflektuar ndaj shqetësimeve të protestuesve, deklaroi se i ka dëgjuar me vëmendje zhvillimet dhe se nga faza e parë e protestave janë nxjerrë mësime që po zbatohen gradualisht.

Rama e nisi komunikimin duke kujtuar ngjarjet e 21 Janarit 2011 kur në Tiranë u vranë 4 protestues e tha se ata që sot sulmojnë policinë “janë kriminelë e kërkojnë gjak”.

Një dron me eksploziv do t’i vinte zjarrin Kryeministrisë.

Protestat e nisura nga të rinjtë dhe studentët me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në javën që po lëmë pas, janë përhapur në të tjera qytete të Shqipërisë, ndërsa përshkallëzimi i dhunës ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë publike dhe respektimin e të drejtës për tubim paqësor.