Gjurmët e zjarreve dhe dëmet e shkaktuara gjatë protestës janë ende të dukshme në disa godina dhe biznese në Tiranë. Në Gjykatën e Lartë, flakët kanë lënë mure të nxira, tavan të rrënuar dhe xhama të thyer, ndërsa në zyrat e Bankës së Shqipërisë, pranë ish-hotel “Dajtit”, dera kryesore është nxirë plotësisht nga zjarri.
Në godinën e Gjykatës së Lartë, një nga pamjet më të dukshme pas zjarrit është skeleti i ekspozuar prej hekuri, mes mureve të nxira dhe fasadës së dëmtuar. Flakët e shkaktuara nga protestuesit morën përmasa të tilla sa rrezikuan ndërtesën.
Brenda godinës, tavani është rrënuar, ndërsa në dysheme kanë mbetur materiale të ngurta dhe mbetje nga zjarri. Xhamat e dritareve në katin e parë janë thyer, ndërsa hapësirat e tyre dyshohet se janë përdorur nga protestuesit për të hedhur kokteje molotovi në ambientet e zyrave.
Dëmet duket se janë më të kufizuara në disa pjesë të tjera të godinës, por shkalla e plotë e tyre do të përcaktohet vetëm pas një vlerësimi të detajuar.
Pasojat e protestës janë të dukshme edhe në bizneset pranë Gjykatës së Lartë. Një ambient që i përket një kompanie celulare ka pësuar dëmtime në pjesën e sipërme të fasadës, ku janë thyer xhamat. Sipas vëzhgimeve në terren, nuk duket se protestuesit kanë tentuar të hapin me forcë qepenin e këtij biznesi. Ndryshe ndodhi në një tjetër pikë të të njëjtit operator, pranë hyrjes së Rrugës së Dibrës, ku u raportua plaçkitje.
Edhe filiali i një banke të nivelit të dytë në rrugën “Myslym Shyri”, ku u shkaktua zjarr gjatë protestës, ka pësuar dëmtime të ngjashme.
Ndërkohë, te zyrat e Bankës së Shqipërisë, në godinën pranë ish-hotel “Dajtit”, dera kryesore është tërësisht e nxirë pasi u shpërthye dhe më pas u përfshi nga flakët. Grilat e dritareve janë dëmtuar, ndërsa xhamat e tyre, të disa dyerve dhe të kabinës së rojeve janë thyer.


