Për të shpërndarë të rinjtë protestues në Tiranë, dje në ditën e pestë të protestës, policia angazhoi qindra forca me dhe pa uniformë, si dhe përdori gaz lotsjellës, plumba e shkopinj gome.
Ndërhyrja erdhi pas disa orësh përplasjesh me një pjesë të protestuesve, që hodhën gurë e mjete ndezëse ndaj kordonit policor e institucioneve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë operacionit, blutë nuk bënë dallim mes protestuesve paqësorë e atyre që përdorën mjete të forta, duke goditur edhe kalimtarë të rastit, në disa raste.
Situata dje dukej më e përshkallëzuar që prej fillimit të protestës pranë Ministrisë së Arsimit, më 13 tetor me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Një ditë më parë, pranë këtij dikasteri, policia përdori saçme e plumba plastikë, duke goditur protestues pa diskriminim.
Ekipet e ndihmës së shpejtë thanë se të paktën një i ri pësoi dëmtime pranë syrit dhe një tjetër u godit në kokë nga plumbat plastikë. Pati edhe një rast infarkti në rrugë.
Përplasja e 17 tetorit ishte më masivja që prej fillimit të konfrontimeve fizike mes protestuesve, kryesisht të rinj e studentë, si dhe efektivëve. Shumë protestues u dëmtuan teksa vraponin gjatë ndjekjes nga policia.
Në mbrëmje, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) ia lanë ruajtjen e godinës së Kryeministrisë, RENEA-s. Një lëvizje e diskutueshme, pasi ky repart special vepron në raste terrorizmi, pengmarrjeje apo në ndjekje të personave me rrezikshmëri të lartë e të armatosur.
Dje u panë qindra punonjës policie që iu sulën protestuesve në rrugë, duke i ndjekur, ndaluar dhe rrahur. Disa protestues dhe qytetarë u ndoqën dhe u qëlluan me shkopinj gome deri në hyrje të Xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet.
Makina policie me dhe pa sinjalistikë ndoqën protestuesit në rrugë.
Automjetet u filmuan duke lëvizur me shpejtësi mes kalimtarëve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa forcat e policisë kryen një operacion “pastrimi” në të gjitha rrugët që lidhin sheshin me qendrën.
Protestuesit u përgjigjën duke u vënë zjarrin dyerve të Bankës së Shqipërisë në godinën e ish-hotel “Dajtit”, ndërsa të tjerë i vunë flakën një pjese të godinës së Gjykatës së Lartë ku zjarri u shua shpejt nga zjarrfikësit.