E diel, 18 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Kaos në Francë! Një protestues vdes, 17-vjeçari humb dorën, përplasje dhe grabitje nga Parisi në Marsejë

Protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike në Francë janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, zjarrvënie dhe grabitje. Një person ka humbur jetën në Paris, ndërsa një 17-vjeçar ka humbur dorën pas shpërthimit të një granate policore në Saint-Etienne.

Bilanci i protestave të së shtunës në Francë është rënduar ndjeshëm, me rreth 1.200 persona të arrestuar dhe 150 efektivë policie e xhandarmërie të plagosur, sipas kryeministrit francez Sebastien Lecornu.

Reklamë

Sipas raportimeve të mediave franceze, një protestues humbi jetën në Paris si pasojë e një arresti kardiorespirator, pasi ishte ndier keq në bulevard gjatë marshimit. Ai u transportua nga protestues të tjerë drejt një pike të ndihmës së shpejtë pranë stacionit Chateau d’Eau, por ndërroi jetë përpara mbërritjes së ndihmës mjekësore.

Reklamë

Kryeqyteti francez ishte një nga pikat më të nxehta të protestave, ku rreth 110 mijë persona morën pjesë në demonstrata. Sipas policisë, në Paris u arrestuan 855 persona, një shifër rekord.

Përplasjet më të rënda u regjistruan në zonën e Place de la Republique, ku demonstruesit u përleshën për orë të tëra me forcat e rendit. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e dhunshme.

Grupe personash të maskuar sulmuan efektivët, dëmtuan ndërtesa publike dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme në biznese. Një sulm u regjistrua edhe në selinë qendrore të televizionit CNews.

Policia franceze bëri të ditur se dëmet nga aktet e vandalizmit dhe grabitjet në kryeqytet janë të konsiderueshme.

Incidente të rënda u raportuan edhe në qytete të tjera të Francës.

Në Limoges, një zjarr, që dyshohet se u shkaktua nga një koktej molotov, përfshiu ndërtesën historike të bashkisë, duke shkaktuar dëme të mëdha. Autoritetet lokale njoftuan se flakët u vunë nën kontroll.

Në Marsejë, persona të maskuar hynë me forcë në godinën e bashkisë, thyen derën dhe shkruan slogane në mure. Në qytet u raportuan gjithashtu grabitje në disa dyqane.

Ndërkohë, në Lyon u përfshi nga flakët ndërtesa e zyrës së turizmit, ndërsa biznese të ndryshme pësuan dëme. Në Lille u dëmtua bashkia, kurse në Grenoble banorët e një ndërtese u evakuuan pas një zjarri që shpërtheu gjatë trazirave.

17-vjeçari humb dorën nga një granatë policore

Një nga incidentet më të rënda u regjistrua në Saint-Etienne, ku një 17-vjeçar humbi dorën pas shpërthimit të një granate policore.

Sipas raportimeve, i mituri dyshohet se e kishte marrë mjetin shpërthyes në duar përpara se ai të shpërthente.

Ngjarja ka shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave, të cilat në disa qytete u shoqëruan me përdorimin e mjeteve shpërthyese, zjarrvënie dhe përplasje me policinë.

Macron dhe Lecornu: Dhuna nuk do të diktojë politikën

Kryeministri Sebastien Lecornu deklaroi se qeveria nuk do të tërhiqet përballë akteve të dhunës.

“Nuk do të lejojmë që askush të imponojë axhendën e tij politike përmes dhunës”, shkroi ai në rrjetin social X.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se personat përgjegjës për shkatërrimet do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen.

Ai kritikoi ata që, sipas tij, përhapin kaos dhe sulmojnë institucionet, duke penguar njëkohësisht qytetarët që dëshirojnë të protestojnë në mënyrë paqësore.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm akuzoi të majtën ekstreme për nxitjen e dhunës, duke thelluar përplasjet politike rreth përgjegjësisë për trazirat.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.