Aktualitet

Përshkallëzimi i situatës në Tiranë, reagime ndërkombëtare e apel për dialog!

Përshkallëzimi i situatës në Tiranë nxiti reagime të menjëhershme ndërkombëtare dhe thirrje për dialog. Ambasada amerikane bëri thirrje për zhvillimin e demonstratave paqësisht e pa akte dhune. Selia diplomatike e Uashingtonit theksoi se dhuna, lëndimi fizik i personave dhe shkatërrimi i pronës nuk përbëjnë angazhim qytetar, ndërsa iu bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.

Kongresmeni amerikan Joe Wilson shprehu shqetësimin, duke i kërkuar qeverisë të ndalë dhunën. Në “X” shkroi:

Po ndjek me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipërinë, aleate të NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo dhunë kundër protestuesve. Të rinjtë meritojnë një zë në të ardhmen e vendit të tyre, shkroi Wilson.

Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Giovanni Peragine, vlerësoi se protestat 4-mujore dëshmojnë “pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet”. Duke nënvizuar se dhuna nuk justifikohet e se “duhet dënuar qartë, pa asnjë rezervë”, kleriku kujtoi se një numër i konsiderueshëm qytetarësh protestoi paqësisht kundër një sistemi që “favorizon disa e penalizon shumë të tjerë”, pa gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura.

Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj.

Edhe zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Shqipëri përsëriti apelin për dialog konstruktiv, me qëllim uljen e tensioneve. Për aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, tha se janë të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe iu bëri thirrje autoriteteve për vetëpërmbajtje.

Përforcojmë mesazhin se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen respektuar dhe mbrojtur. Theksojmë gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimit të proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit dhe të garancive për një proces të rregullt ligjor.