Studentët i kërkojnë dorëheqjen, Rama: Nuk dorëzohet shteti, po ika unë ndërpritet rruga për në BE

Kryeministri Edi Rama komentoi, gjatë komunikimit live në rrjete sociale, kërkesën e studentëve për dorëheqjen e tij, që ata e cilësojnë si të panegociueshme. Ai theksoi se largimi i tij nga detyra do të ndërpriste, sipas tij, procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Rama tha se nuk ndodh që të dorëzohet shteti përpara kësaj rrëmuje, ndërsa iu bëri thirrje shqiptarëve të mendojnë për zgjedhjen mes kërkesave të protestuesve dhe vijimit të procesit të integrimit.

Të lidhura

None found

“Nuk është çështje e pushtetit tim, nuk kam asgjë për t’i provuar vetes më. Jo me arrogancë, por krenar, bëj vetëm udhëtimet e domosdoshme, nuk kam më as dëshirë të udhëtoj për pushtet. Pasuri? Çfarë të them, është e kotë të flas për këtë. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave. Shqiptarët duhet të mendojnë qartë: duan këtë apo BE-në?

Do të thonë disa: Pse ike dhe s’do të shkojmë ne në BE? Nuk po them që jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në BE. Jeni ziliqarë, të paaftë, ziliqarë, sepse nuk më mundni dot me zgjedhje, me fjalë dhe ju ka ardhur dita te guri. E nisët me shishe uji e vezë dhe arritët te guri.

Le ta themi që janë kaq të aftë, negociatat kanë kalendar. Dritarja është hapur tani, kalendari kërkon që çdo ditë të japim e të marrim, ka çdo ditë fluturim në Bruksel e anasjelltas. Kjo ndërpritet nëse unë iki dhe vjen ai neoballisti, ose neokomunisti apo matufepsi, u duhet një kohë e gjatë.

Nuk do të dorëzohet shteti përpara kësaj. Shteti që dorëzohet përpara kësaj nuk e merr veten për vite e vite”, deklaroi Rama.


Shtuar më 18.10.2026 10:23