Një 26-vjeçar i dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve është arrestuar në Shkodër, teksa tentonte të largohej me një automjet. Në pranga kanë përfunduar edhe dy të rinj që dyshohet se po e ndihmonin t'i shmangej policisë.

Roland Gjoni, 26 vjeç, banues në fshatin Bleran të Shkodrës, ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, më 14 tetor 2026, e kishte dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg për prodhim, shitje dhe kultivim të narkotikëve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

26-vjeçari u kap gjatë operacionit policor të koduar “Last Travel”, teksa udhëtonte me një automjet që drejtohej nga Pashk Prendi, 30 vjeç, ndërsa pasagjer ishte Ornel Sadria, 19 vjeç.

Të dy të rinjtë, banues në Fushë Arrëz, u arrestuan pasi dyshohet se po ndihmonin Gjonin të largohej për t'iu shmangur kapjes nga policia. Ata dyshohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pukë.

Materialet procedurale do t'i kalojnë SPAK-ut për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë 

"I dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari.

Arrestohen edhe 2 shtetas që dyshohet se e ndihmonin të largohej.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Last Travel”. Në kuadër të këtij operacioni, u kap dhe u arrestua shtetasi R. Gj., 26 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 14.10.2026, e ka dënuar përfundimisht këtë shtetas me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim, në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

26-vjeçari u lokalizua dhe u kap teksa tentonte të largohej me një automjet me të cilin udhëtonin edhe shtetasit P. P., drejtues i automjetit, dhe O. S., pasagjer.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan edhe shtetasit P. P., 30 vjeç, dhe O. S., 19 vjeç, të dy banues në Fushë Arrëz, pasi dyshohet se ndihmonin shtetasin R. G. për t’iu shmangur kapjes nga shërbimet e Policisë. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.