Aktualitet

Kryeministria/Bashkia heq pllakat nga trotuaret, të mos përdoren nga protestuesit!

Ndërsa sot pritet të mbahet protesta e 6-të e studentëve në Tiranë, te Kryeministria kanë nisur të merren masa për të mos u goditur më me gurë drejt institucioneve apo forcave të policisë.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Elda Menga, punonjësit e bashkisë po heqin të gjitha pllakat nga trotuaret, në mënyrë që protestuesit të mos kenë mundësi të marrin gurë gjatë tubimit.

Për të shpërndarë të rinjtë protestues në Tiranë, dje në ditën e pestë të protestës, policia angazhoi qindra forca me dhe pa uniformë, si dhe përdori gaz lotsjellës, plumba e shkopinj gome.

Ndërhyrja erdhi pas disa orësh përplasjesh me një pjesë të protestuesve, që hodhën gurë e mjete ndezëse ndaj kordonit policor e institucioneve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestat e nisura nga të rinjtë dhe studentët me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në javën që po lëmë pas, janë përhapur në të tjera qytete të Shqipërisë, ndërsa përshkallëzimi i dhunës ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë publike dhe respektimin e të drejtës për tubim paqësor.