Dosje të djegura dhe ambient i shkatërruar, pamjet ekskluzive brenda Gjykatës së Lartë, çfarë mbeti pas flakëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, priti në një takim në selinë blu përfaqësues të Heritage Foundation, James Carafano (Këshilltar i Lartë i Presidentit për Angazhimet Ndërkombëtare), E.W. Richardson, Mario Enzler, Grace Melton dhe Richard dhe Helen DeVos nga Qendra Human Flourishing.
Ata shoqëroheshin nga pastori Akil Pano dhe përfaqësues të Fondacionit për Familjen. Heritage Foundation është një nga fondacionet më me ndikim në Washington, që ka hartuar programet qeverisëse të administratave republikane, nga Presidenti Ronald Reagan te Trump.
Kryetari i PD-së, Berisha, falënderoi Heritage Foundation për mbështetjen tejet të rëndësishme që i kanë dhënë Partisë Demokratike, që nga vitet 1990 gjer sot, dhe vlerësoi kontributin e tyre të çmuar në hartimin e politikave dhe programeve qeverisëse dhe programit të sotëm të PD-së.
Berisha ka folur me përfaqësuesit amerikanë për “protestat studentore kundër korrupsionit, narko-shtetit, vjedhjes së zgjedhjeve, ndër më të fuqishmet në historinë e Shqipërisë”, dhe theksoi se Partia Demokratike është e angazhuar me të gjithë potencialin e saj në mbështetje të revoltës studentore.
Kryetari i PD-së informoi përfaqësuesit e Heritage Foundation se për Shqipërinë problemi më madhor, me pasoja shkatërrimtare mbi demokracinë, ligjin, shoqërinë dhe ekonominë, është narko-shteti i kryesuar nga Edi Rama, i pari dhe i vetmi në Evropë.
“Sot Shqipëria është eksportuesja kryesore e kanabisit dhe rruga kryesore e heroinës në Evropë. Kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit kryesorë të kokainës dhe aksionarët kryesorë të tregut të saj në Evropë. Në Shqipëri, ato administrojnë portet, të cilat aktualisht janë porte të lira për drogën.
Kartelet shqiptare të drogës në Shqipëri dhe në Amerikën Latine kanë lidhje direkte jo vetëm me policinë, gjykatat e prokurorinë, por kanë lidhje direkte të faktuara edhe me kreun e ekzekutivit shqiptar, Edi Ramën, i cili pret në zyrë përfaqësuesit e Sinaloas dhe, në kundërshtim me ligjin, u jep licencë për kazino dhe hotel me pesë yje. Dosjet gjyqësore kanë faktuar se zyra e kryeministrit organizon takime trilaterale, si për shembull në Aruba, mes trafikantëve të drogës, ndërtuesve shqiptarë dhe përfaqësuesve të tij direktë.
Pasojat më të rënda të narko-shtetit janë në ekonominë e vendit. Në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër në botë, janë zhvlerësuar euroja dhe dollari. Monedhat më të fuqishme në planet janë zhvlerësuar përkatësisht me 32% dhe 35%, e po aq janë zhvlerësuar edhe eksportet e vendit. Për rrjedhojë, prodhimi industrial në Shqipëri, sipas Eurostat-it, ka rënë me 15.3%. Kurse treguesi i ndërtimit, sektor ku lahen paratë e drogës, është tri herë më i lartë se mesatarja e BE-së.
Pasoja të ngjashme shihen edhe me shokun demografik të pashembullt në historinë e vendit. Sipas Eurostat-it, në 10 vitet e fundit emigruan vetëm në zonën Schengen 1,099,000 qytetarë. Nëse shtohen edhe ata që kanë emigruar në zona të tjera, del se 47% e shqiptarëve janë larguar nga vendi. Regjistri i Gjendjes Civile tregon se lindjet sot kanë rënë në nivelin e 100 viteve më parë, kur Shqipëria kishte nën 1 milion banorë”, tha Berisha.
Duke pasur parasysh kushtet në të cilat u mbajtën zgjedhjet e fundit parlamentare dhe gjetjet e raporteve ndërkombëtare, Kryetari i Partisë Demokratike theksoi nevojën për krijimin e një qeverie teknike si kusht i domosdoshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Top Channel