Një ditë pasi protestuesit i vunë flakën, Gjykata e Lartë blindon dritaret me mbrojtëse hekuri
Këto janë pamjet nga ambientet e brendshme të Gjykatës së Lartë, një ditë pasi protestuesit i vendosën flakën gjatë tubimit.
Në pamjet e filmuara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shihen dosjet e djegura dhe ambientet e shkatërruara.
Hoxha bën me dije se janë djegur afro 40 dosje gjyqësore. Gjykata e Lartë ndahet me një shtyllë betoni nga subjekti të cilit iu vendos flaka nga protestuesit mbrëmjen e djeshme.
Pasi është dëmtuar subjekti privat, flakët kanë kaluar edhe në katin e parë, ku ndodhen zyrat e sekretarive gjyqësore. Për fat të mirë, flakët nuk janë përhapur në katin e nëndheshëm, ku janë të depozituara mijëra dosje.
Burime të Prokurorisë i thanë Anila Hoxhës se po hetohet dhe është konstatuar se dy net më parë janë çmontuar dhe shkatërruar kamerat.
Kjo metodë e shkatërrimit të kamerave po vërehet në shumicën e rrugicave që lidhen me Bulevardin.
Top Channel