Shkodër/ Arrestohet 26-vjeçari i dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, në pranga edhe dy të tjerë (EMRAT)

Një operacion i koduar “Last Travel”, i zhvilluar nga Policia e Shkodrës, ka çuar në prangosjen e një 26-vjeçari të shpallur në kërkim, i cili ishte dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për vepra penale të lidhura me narkotikët.

Bashkë me të u arrestuan edhe dy persona të tjerë, përkatësisht 30 dhe 19 vjeç, të dyshuar se e kishin ndihmuar të dënuarin të shmangte arrestimin.

Të lidhura

None found

Operacioni u krye nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, bëri të ditur Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.

Roland Gjoni, 26 vjeç, banues në fshatin Bleran të Shkodrës, kishte marrë një dënim përfundimtar prej 6 vitesh e 8 muajsh burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 14 tetor 2026.

Ai është shpallur fajtor për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për veprën “Grupi i strukturuar kriminal”.

Forcat e policisë e lokalizuan 26-vjeçarin teksa po përpiqej të largohej me një automjet. Në të njëjtin mjet ndodheshin edhe Pashk Prendi, 30 vjeç, i cili e drejtonte automjetin, dhe Ornel Sadriam, 19 vjeç, pasagjer.

Dy personat nga Fushë-Arrëzi u arrestuan gjatë veprimeve të mëtejshme, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” duke e ndihmuar Gjonin t’i shpëtonte kapjes nga policia.

Materialet e përgatitura lidhur me rastin do t’i përcillen Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për vijimin e procedurave.


Shtuar më 18.10.2026 11:20