Bota

Përshkallëzohen protestat në Francë, 1 viktimë!

Vazhdojnë protestat në Francë ku një demonstrues vdiq dje në Paris pasi pësoi arrest kardiak. Në kryeqytetin Paris, policia arrestoi 855 persona dhe sot doli me një deklaratë ku theksonte se fataliteti, “nuk ka lidhje me veprimet e forcave të rendit” apo me përplasjet e dhunshme që shpërthyen në demonstratat masive.

Sipas policisë së Parisit, viktima u ndje keq në bulevardin Magenta dhe të pranishmit e transportuan në qendrën e ndihmës së shpejtë mjekësore, por për fat të keq nuk mundi të mbijetonte.

Protestat janë pjesë e një mobilizimi kombëtar kundër rritjes së kostos së jetesës, kushteve të dobëta në arsim dhe problemeve të sistemit të mbrojtjes sociale. Ato bashkuan studentë, mësues, sindikata, punëtorë, pensionistë dhe simpatizantë të lëvizjes së “Jelekëve të verdhë” në Francë.

Sipas vlerësimeve të qeverisë, rreth 550 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, ndërsa organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 800 mijë. Marshimi kryesor në Paris ishte kryesisht paqësor gjatë pasdites së djeshme, por tensionet u rritën në mbrëmje.

Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmat, ndërsa disa grupe protestuesish dogjën automjete dhe ndezën zjarre në rrugë, përfshirë zonën e sheshit të Republikës.

Gjatë protestave u raportuan gjithashtu grabitje të dyqaneve, dëmtime të bizneseve e djegia e të paktën një restoranti.

Dhuna u përhap edhe në qytete të tjera të Francës. Ndërkohë, në Saint-Étienne, një i ri mbeti rëndë i plagosur. Dëme dhe akte vandalizmi u raportuan gjithashtu në Grenoble, Avignon, Pau, Montpellier e Valence.

Demonstratat janë nxitur nga pakënaqësitë për mungesën e stafit dhe gjendjen e amortizuar të shkollave të mesme, ku studiojnë të rinj të moshave 15 deri në 18 vjeç. Lëvizjes së tyre u janë bashkuar sindikata dhe grupe të tjera protestuese.