Nga Helidon Haliti
Me ekranin e vogël në dorë, si një frikacak i madh, ndjek situatën e trishtuar në vendin që dua aq shumë.
Shqipërinë!
Nuk e di nëse jam unë që po plakem, apo është Shqipëria që nuk po arrin të rritet!
Jeta më kalon para syve si një film i gjatë, i xhiruar keq, me shumë plagë, pak dritë dhe fare pak lumturi.
Fëmijëria ime!
Një fëmijëri e qelbur, por vrapuese. E nxituar, e izoluar, por çuditërisht e barabartë!
Të gjithë vinim erë njëlloj!
Qepë dhe fasule!
Tualete të qelbura!
Shkallë pallatesh të pastra, por të rrjepura, të ndërtuara sikur projektet arkitekturore t’i kishte vizatuar profesori i fiskulturës!
Urrejtje pa kuptim!
Rrush me erë dhe ftonj të pabërë!
Shalqinj të kalbur që të huajt nuk i blinin, por ne i hanim!
Mish që qelbej nëpër dyqane!
Frigoriferë pothuajse askush, thua se jetonim në Polin e Veriut dhe ishim eskimezë!
Rroba të grisura!
Atlete?
As që bëhej fjalë!
Bunkerë kudo!
Edhe atje vinte erë qelbësirë!
Një vend që kishte frikë nga bota, por më shumë kishte frikë nga vetja!
Megjithatë, ne vraponim!
Qeshnim!
Dashuronim!
Ëndërronim!
Dhe nuk e dinim se po rriteshim brenda një burgu gjigant, ku gardianët ishin po aq të burgosur sa ne!
Rinia më gjeti përpara dilemës së madhe!
Anijet apo ambasadat?!
Të iknim apo të qëndronim?
Të vdisnim në det apo të jetonim në tokën që po na mbyste?
Protestat filluan edhe nga Artet!
Ne ishim aty!
Studentë, artistë, të rinj, të çmendur pas lirisë!
Rama i drejtonte!
Gonxhe sapo e çelur!
Mish për top ishim të gjithë!
Atëherë ishte me ne!
Në krye të protestës!
Fliste për lirinë, për dinjitetin, për një Shqipëri tjetër!
Iku në Korfuz!
U kthye i ekzaltuar!
Na përshkruante një veturë kabriolet që rrëshqiste buzë detit, njerëz të lirë, ngjyra, drita, një botë që dukej sikur vinte nga një planet tjetër!
Përballë ishte Saranda!
Saranda jonë që për mëngjes hante aromën e bunkerëve dhe për darkë përtypte errësirën!
Sa afër ishim me botën!
Sa larg jetonim prej saj!
Erdhi demokracia!
E qelbur!
E rrëmujshme!
E plagosur!
Një demokraci që ende pa lindur mirë filloi të hante fëmijët e vet!
Ika në emigrim!
Kërkoja nëpër plehra për rroba!
Punova si kafshë!
Me duar, me shpinë, me kocka!
Por kokën e kisha gjithmonë nga atdheu!
Shqipëria nuk më dilte nga mendja!
Bleva televizorin tim të parë!
Dhe prej tij, në vitin 1997, pashë vendin tim të shqyente vetveten!
Armë!
Të vrarë!
Britma!
Nëna që qanin!
Shqiptarë që vrisnin shqiptarë!
Një popull që sapo kishte dalë nga burgu dhe po ndërtonte një burg tjetër me duart e veta!
Deputetë të vrarë!
Parlamenti që duhej të ishte tempulli i fjalës, u kthye në skenë dhune dhe urrejtjeje!
Kosova në luftë!
Shqiptarë që iknin nga shtëpitë!
Shqiptarë që prisnin shqiptarë!
Historia përsëriste vetveten, vetëm kostumet e xhelatëve ndryshonin!
U bëra prind!
Dhe për herë të parë fillova ta shihja botën jo vetëm me sytë e mi, por edhe me sytë e tim biri!
U ktheva në Shqipëri kur djali ishte gjashtë vjeç!
Doja të rritej në vendin tim!
Të njihte gjuhën, tokën, njerëzit, historinë!
Por Shqipëria vazhdonte të shqyhej!
Prona të tjetërsuara!
Hotele!
Pallate!
Gradaciela!
Beton që mbinte më shpejt se pemët!
Pasuri që lindnin brenda natës dhe njerëz që varfëroheshin në mes të ditës!
Dhe një ditë erdhi profesori në pushtet!
Upsssssss!
Profesori ynë!
Ai që dikur fliste për lirinë!
Ai që dikur ishte në krye të protestës!
Ai që kishte parë kabrioletën buzë detit në Korfuz!
Tani kishte në dorë timonin e Shqipërisë!
Dhe filloi të mbillte farën!
Një farë të çuditshme!
Ndoshta do të mbijë pas qindra vjetësh dhe atëherë do ta kuptojmë se çfarë kemi rritur!
Një foshnjë që mund të bëhet përbindësh!
Fatkeqësi apo filozofi e së ardhmes?!
Arroganca nxori sythin!
Çdo ditë më shumë!
Pastaj degët!
Pastaj rrënjët!
Dhe një ditë pema e arrogancës u bë aq e madhe sa nuk linte më dritë për askënd tjetër!
Deliri!
Tallja!
Përçmimi!
Urrejtja ndaj atyre që nuk mendojnë si ai!
Një popull i tërë i kthyer në publik të detyruar të një shfaqjeje që nuk mbaron kurrë!
Leku u bë letër!
Dinjiteti u kthye në monedhë pa vlerë!
Të paditur që drejtojnë!
Të ditur që heshtin!
Institucione që në sytë e qytetarit ngjajnë gjithnjë e më shumë me prona private!
Mafia, korrupsioni, klientelizmi!
Fjalë që dikur na trembnin dhe sot i dëgjojmë aq shpesh sa rrezikojmë të mos na bëjnë më përshtypje!
Madje edhe ndërkombëtarisht!
Tallja ridimensionohet!
Bëhet metodë!
Bëhet gjuhë!
Bëhet filozofi qeverisjeje!
Populli duron!
Ai nxjerr gjuhën!
Populli duron përsëri!
Ai qesh!
Populli ankohet!
Ai tallet!
Dhe kështu, dita-ditës, tallja rritet, ndërsa dinjiteti zvogëlohet!
Krim!
Varfëri!
Padrejtësi!
Mungesë dinjiteti!
Të rinjtë ikin!
Me mijëra!
Me qindra mijëra!
Ikën mjeku!
Ikën inxhinieri!
Ikën studenti!
Ikën punëtori!
Ikën vajza!
Ikën djali!
Shqipëria po zbrazet nga ëndrrat e veta!
Një vend që eksporton fëmijët dhe importon shpresën me reklama!
Shqipëria shitet ngadalë!
Copë pas cope!
Breg pas bregu!
Mal pas mali!
Dhe ne shohim!
Bota ndërkohë kalon situata të çuditshme!
Luftëra!
Kriza!
Përmbysje!
Por piktori ynë nuk mëshiron!
Fle në një qese ajri, si të ishte pezull mbi realitetin!
Luksi nuk i hyn më në sy!
Ndoshta sepse luksi është bërë përditshmëri!
Kamxhikun përdor!
Ushtarët bien një nga një!
Ai mbetet në krye!
I vetmi që duket sikur nuk pëson asgjë!
Të gjithë mund të jenë fajtorë!
Përveç atij!
Të gjithë mund të largohen!
Përveç atij!
Të gjithë mund të gabojnë!
Përveç atij!
Hakerrehet në mes të Athinës!
Shet patriotizëm me kilogramë!
I fyen kundërshtarët!
Tallet me Amerikën, me Trumpin, me kë t’i dalë përpara!
Edhe kur emri i Shqipërisë përmendet në histori të errëta ndërkombëtare, në vend të përgjegjësisë politike dëgjojmë përsëri të qeshura!
Qesh!
Qesh si i marrë!
Ngatërron dynjanë!
Nxjerr gjuhën si në koncertet rock!
Ndërron penelat me kostumet!
Ndërron kostumet me poturet!
Ndërron syzat!
Ndërron batutat!
Vetëm pushtetin nuk do ta ndërrojë!
Parlamentin e mbush me njerëz që shpesh duken më të aftë të duartrokasin sesa të mendojnë!
Servilizmi bëhet profesion!
Heshtja bëhet karrierë!
Bindja bëhet diplomë!
Dhe Shqipëria?!
Shqipëria pret!
Si një kështjellë rëre që pret dallgën e parë!
Por dallga mund të vijë nga kudo!
Nga brenda!
Nga jashtë!
Nga e vërteta që nuk mund të fshihet përgjithmonë!
Nga fqinjët që nuk harrojnë!
Nga miqtë që një ditë lodhen duke heshtur!
Nga populli që një mëngjes mund të zgjohet!
Ai vazhdon të tallet!
Sikur të mos i plasë fare!
Sikur Shqipëria të jetë një skenë dhe shqiptarët figurantë!
Një ditë dëgjojmë për projekte madhështore!
Një ditë për ishuj!
Një ditë për brigje!
Një ditë për investitorë nga fundi i botës!
Një ditë për njerëz që do të vijnë të luajnë kukafshehti në parajsën tonë!
Bregdeti premtohet!
Toka premtohet!
E ardhmja premtohet!
Vetëm shqiptari nuk pyetet!
Populli hap njërin sy!
Pastaj tjetrin!
Diçka qelbet!
Dhe nuk është më era e tualeteve të fëmijërisë sime!
Është era e një shoqërie që rrezikon të mësohet me gjithçka!
Me gënjeshtrën!
Me arrogancën!
Me padrejtësinë!
Me ikjen!
Me heshtjen!
Mbi një dekadë në pushtet!
Dhe premtimi duket sikur është për përjetësi!
Rrokaqiejt pushtojnë qiellin!
Ngrihen mbi boshllëqe!
Apartamente që presin qiramarrës!
Dritare që presin dritë!
Ndërtesa që presin pronarët e së ardhmes!
Ndërsa shqiptari ikën!
Të tjerë vijnë!
Qytetet ndryshojnë fytyrë!
Por a po ndryshon jeta e atyre që jetojnë brenda tyre?!
Protesta kudo!
Ditë të tëra!
Mbi njëqind e tridhjetë ditë revoltë në një prej betejave që kërkojnë drejtësi!
Njerëz që kërkojnë të dëgjohen!
Ai nuk kupton!
Ose bën sikur nuk kupton!
Tallet!
Studentët ngrihen?!
Po rinia?!
Po gratë?!
Po nënat që i kanë fëmijët në emigrim?!
Po baballarët që kanë mbetur vetëm?!
Po gjyshërit që i përqafojnë nipërit në ekranin e telefonit?!
Kush do t’i dëgjojë?!
Kush do t’i përfaqësojë?!
Kush do t’ua kthejë shpresën?!
Dhe unë jam këtu!
Me ekranin e vogël në dorë!
Si një frikacak i madh!
Shoh!
Lexoj!
Dëgjoj!
Shkruaj!
Dhe më vjen turp nga vetja që nuk bëj dot më shumë!
Sepse e dua këtë vend!
E dua edhe me erën e qepëve dhe fasuleve!
Edhe me shkallët e rrjepura!
Edhe me bunkerët!
Edhe me shalqinjtë e kalbur!
Edhe me historinë e tij të përgjakur!
E dua Shqipërinë sepse aty kam fëmijërinë!
Aty kam rininë!
Aty kam miqtë!
Aty kam varret e njerëzve të mi!
Aty kam pikturuar!
Aty kam dashuruar!
Aty kam qarë!
Aty dua të jetoj!
Por nuk dua të jetoj në një vend ku frika është më e madhe se shpresa!
Ku pushteti është më i rëndësishëm se njeriu!
Ku artisti duhet të heshtë!
Ku studenti duhet të ikë!
Ku nëna duhet të presë!
Ku qytetari duhet të durojë!
Nuk dua një Shqipëri që i ngjan një njeriu të shtrirë në tryezën e operacionit, ndërsa kirurgu tallet me pacientin!
Nuk dua një atdhe që zbukurohet në fasadë dhe kalbet nga brenda!
Nuk dua një vend ku udhëheqësi të jetë më i madh se populli!
Sepse askush nuk është më i madh se Shqipëria!
As piktori!
As profesori!
As kryeministri!
As mbreti!
Askush!
Ti erdhe dikur me ne!
Me studentët!
Me artistët!
Me njerëzit që kërkonin liri!
Mos harro se nga erdhe!
Mos harro se kush ishe!
Mos harro se pushteti nuk është pronë!
Është përgjegjësi!
Dhe përgjegjësia ka një fund!
Një ditë edhe shfaqja më e gjatë mbaron!
Edhe aktori më i dashuruar me veten duhet të dalë nga skena!
Edhe duartrokitësit lodhen!
Edhe dritat fiken!
Dhe kur perdja të bjerë, do të mbetet vetëm Shqipëria!
Ajo që gjetëm!
Ajo që shkatërruam!
Ajo që ndërtuam!
Ajo që do t’u lëmë fëmijëve tanë!
Prandaj mos e digj Shqipërinë!
Mos e ndaj!
Mos e përçmo!
Mos e trajto si pronën tënde!
Mos e detyro këtë popull të zgjedhë përsëri mes ikjes dhe revoltës!
Ti erdhe nga protesta!
Dhe mund të largohesh prej saj!
Por largohu me paqe!
Pa dhunë!
Pa zjarr!
Pa një tjetër vit 1997!
Sepse ky vend ka derdhur mjaft gjak!
Ka varrosur mjaft ëndrra!
Ka përcjellë mjaft fëmijë nëpër aeroporte!
Nuk ka më jetë për të humbur!
Unë nuk dua hakmarrje!
Dua Shqipërinë!
Nuk dua një tjetër shpëtimtar!
Dua një vend që të mos ketë më nevojë për shpëtimtarë!
Dua që fëmijët tanë të mos e njohin atdheun vetëm nga ekrani i vogël që mbaj unë sot në dorë!
Dua të kthehen!
Dua të jetojnë!
Dua të qeshin!
Dua të mos kenë frikë!
Dhe ti, që dikur na flisje për lirinë, duhet ta dish më mirë se kushdo se liria nuk është dhuratë e pushtetit!
Është e drejta e një populli!
IK, TË LUTEM!
Ik përpara se të urrehet edhe ajo pak shpresë që na ka mbetur!
Ik përpara se një brez tjetër të marrë rrugën e emigrimit!
Ik përpara se historia të na gjejë përsëri duke qarë mbi rrënojat tona!
MOS E DIGJ SHQIPËRINË!
IK, O I MARRË!













