E diel, 18 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Evropa në valën e protestave, përleshje mes protestuesve dhe forcave të policisë në Francë dhe Itali

Valë protestash kanë përfshirë Francën dhe Italinë, ku mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë kundër rritjes së kostos së jetesës, pagave të ulëta dhe përkeqësimit të shërbimeve publike.

Demonstratat, të nisura me kërkesa sociale dhe ekonomike, janë shoqëruar me përplasje të dhunshme në disa prej qyteteve kryesore, duke vënë në gatishmëri forcat e sigurisë.

Reklamë

Në Francë, protestat morën përmasa të mëdha. Lëvizja, e nxitur fillimisht nga pakënaqësitë e nxënësve për kushtet në shkolla dhe mungesën e investimeve në arsim, u zgjerua me pjesëmarrjen e sindikatave dhe qytetarëve të pakënaqur me rritjen e çmimeve dhe pabarazinë sociale.

Megjithatë, në disa zona, demonstratat paqësore u shndërruan në përplasje me policinë. Në Paris, Lyon, Marseille dhe qytete të tjera, grupe protestuesish u përfshinë në akte dhune, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.

Reklamë

Dëme të konsiderueshme u raportuan në ndërtesa publike dhe biznese. Në qytetin e Limoges, ndërtesa e bashkisë u përfshi nga zjarri, ndërsa në Lyon u dëmtuan objekte publike. Sipas autoriteteve franceze, mbi 1,200 persona u arrestuan gjatë protestave, ndërsa rreth 150 efektivë policie mbetën të plagosur.

Kryeministri francez Sébastien Lecornu dënoi aktet e dhunës, duke bërë dallimin mes të drejtës për të protestuar dhe veprimeve që cenojnë sigurinë publike. Edhe presidenti Emmanuel Macron kërkoi që përgjegjësit për aktet kriminale të përballen me drejtësinë. Ndërkohë, protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Itali, ku pakënaqësitë për koston e jetesës, çmimet e karburanteve dhe pasigurinë ekonomike nxorën qytetarët në rrugë.

Në Milano, situata u tensionua në sheshin Duomo, ku grupe protestuesish hodhën gurë dhe sende të tjera në drejtim të policisë. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, ndërsa disa biznese ulën qepenat dhe stacioni i metrosë pranë katedrales u mbyll përkohësisht.

Përplasje pati edhe në Bologna, ku policia përdori ujë me presion për të shpërndarë turmat. Sipas raportimeve të mediave italiane, shtatë persona u arrestuan në këtë qytet.

Ndërkohë, në Romë, mijëra qytetarë morën pjesë në një tubim të organizuar nga sindikatat, me kërkesa për paga më të larta, më shumë siguri në punë, mbrojtjen e shërbimeve publike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi dhunën, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk justifikon shkatërrimin e pronës dhe sulmet ndaj forcave të rendit.

Protestat në të dyja vendet pasqyrojnë pakënaqësinë në rritje për presionin ekonomik dhe cilësinë e shërbimeve publike, ndërsa autoritetet përballen me sfidën për të garantuar rendin dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.