Napoli, gjithnjë e më shumë në shënjestër/ Nga rotacioni te lojat, akuzat që rëndojnë mbi Allegrin.
Dy nga sulmuesit kryesorë të Kombëtarja shqiptare, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni, kanë lënë pas fushat e gjelbra për t’u bërë bashkë në një kauzë kombëtare.
Përmes reagimeve të forta në rrjetet sociale, ata kanë dënuar dhunën e policisë ndaj studentëve protestues, duke kërkuar dinjitet, respekt dhe liri për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri.
Ngjarjet e fundit në Tiranë dhe protestat e studentëve kanë vënë në lëvizje edhe personalitetet e sportit shqiptar. Sulmuesit kuqezinj, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni, janë ndër të parët futbollistë të Kombëtares që kanë thyer heshtjen, duke dalë hapur në krah të të rinjve dhe duke kërkuar reagim institucional ndaj dhunës së ushtruar nga forcat e rendit.
Rey Manaj: “Studentët janë fëmijët tanë, zëri i tyre nuk duhet mbytur me dhunë”
Rey Manaj ka qenë ndër zërat më të fortë të legjionarëve shqiptarë. Përmes një mesazhi të ndarë në rrjetet sociale, sulmuesi lushnjar ka theksuar se protestuesit nuk kërkojnë gjë tjetër veçse të drejta minimale, kushte dhe një të ardhme në vendin e tyre. “Dua të shpreh shqetësimin tim për dhunën ndaj studentëve dhe protestuesve. Studentët janë fëmijët tanë, janë e ardhmja e kombit dhe meritojnë të dëgjohen… Askush nuk duhet të ushtrojë dhunë ndaj tyre, aq më pak ata që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët,” shkruan Manaj, i cili po kalon një formë fantastike në karrierën e tij.
Pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar për kauzën e të rinjve, Manaj ka bërë gjithashtu thirrje për maturi, duke theksuar se protestat duhet të mbeten paqësore dhe se prona private apo publike nuk duhet të dëmtohet.

Myrto Uzuni: “Policë, nderojeni uniformën tuaj! Dhuna është e papranueshme”
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe sulmuesi Myrto Uzuni. Duke e lidhur paralelizmin me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë kur vesh fanellën kuqezi për të përfaqësuar Shqipërinë, Uzuni u është drejtuar drejtpërdrejt efektivëve të policisë. “Si sportist, kam përjetuar krenarinë që të jep përfaqësimi i vendit tënd. Besoj se edhe uniforma e policisë duhet të mbahet me atë ndjenjë përgjegjësie… Dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë është e papranueshme. Qytetarët meritojnë të dëgjohen dhe të ndihen të mbrojtur,” shprehet Uzuni, duke bërë thirrje që të nderohet uniforma dhe të mos lejohet që veprimet e disa individëve të njollosin imazhin e gjithë strukturës.
Reagimet e dy prej lojtarëve më të dashur për tifozët kuqezinj janë pritur me qindra shpërndarje dhe komente pozitive, duke dëshmuar se zëri i sportistëve ka një peshë të madhe kur bëhet fjalë për çështjet e ndjeshme sociale të vendit.

Top Channel