Demonstratat kundër kushteve të këqija në shkolla dhe kostos së lartë të jetesës u shoqëruan me përplasje dhe dëme në disa qytete franceze. Në Paris, një protestues humbi jetën pasi pësoi arrest kardiorespirator, ndërsa autoritetet raportuan 855 persona të ndaluar.
Rreth 550 mijë persona dolën në rrugët e qyteteve të Francës të shtunën, në valën e fundit të protestave kundër kushteve të këqija në shkolla dhe rritjes së kostos së jetesës. Qeveria franceze paralajmëroi për përshkallëzim të dhunës, ndërsa demonstratat u shoqëruan me incidente dhe dëmtime të pronës.
Në Paris, një protestues humbi jetën në bulevardin Magenta, ku po kalonte procesioni i demonstruesve. Sipas prefekturës së policisë, ai u ndje keq dhe vdiq si pasojë e një arresti kardiorespirator.
Autoritetet njoftuan se 855 persona u ndaluan në kryeqytetin francez, një shifër rekord. Gjatë protestave u plagosën gjithashtu 13 policë dhe xhandarë, si dhe dy zjarrfikës.
Përplasje dhe dëme u raportuan edhe në Limoges, ku zjarri që përfshiu ndërtesën e bashkisë u vu nën kontroll. Prefekti i departamentit të Vjenës së Epërme, Maurice Barat, dënoi incidentin dhe kritikoi personat që shkaktuan zjarrin dhe dëmtuan rëndë ndërtesën komunale të shekullit XIX.
Në qytet u arrestuan 17 persona gjatë demonstratës, mes tyre shtatë të mitur, bëri të ditur prokuroria për televizionin BFMTV. Për ngjarjen është hapur një hetim për “shkatërrim të pronës me mjete të rrezikshme në një grup të organizuar”.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se disa qytetarë u sulmuan në periferi të tubimit dhe se evidentimi i personave të dëmtuar do të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.


