Partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar rikthimin sa më të shpejtë të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se Qeveria e Albin Kurtit duhet të ndërmarrë hapa për rikthimin e besimit të partnerëve amerikanë. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, vlerësoi se rikthimi i Dialogut Strategjik është jetik për Kosovën dhe kërkoi që në këtë proces të përcaktohen qartë prioritetet dhe afatet kohore. “Një mbështetje më e madhe amerikane në fushën e mbrojtjes, në fushën e sigurisë, duke përfshirë edhe blerjen e pajisjeve për FSK-në, trajnimin e FSK-së, rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse, duhet të jetë një fushë e dytë e cila do të diskutohet me partnerët tanë amerikanë”, tha ai. Hoxhaj theksoi se në kuadër të këtij dialogu duhet të trajtohen edhe njohjet e reja dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.