Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj komentit të kongresmenit amerikan Joe Wildson për protestat në Tiranë, të publikuara në rrjetin social X.

Wildson shprehej se e ka ndjekur me shqetësim “përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton lirinë, sundimin e ligjit dhe përgjegjshmërinë institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre.”

Balla iu përgjigj Wildson në X se bie plotësisht dakord me këtë mendim, por dënimi i dhunës pa ekuivok duhet të vijë para gjithçkaje tjetër. Gjithashtu i tha se protestat në Shqipëri lidhen me lëvizjen Antifa, e cila i përket së majtës ekstreme.

“Kongresmeni Joe Wildson, jam plotësisht dakord se populli shqiptar meriton lirinë, sundimin e ligjit, përgjegjshmërinë institucionale dhe të drejtën për t’i shprehur zërat e tij në mënyrë paqësore. Këto janë parime që i ndajmë të gjithë dhe kjo është realiteti në Shqipëri.

Por duhet të jetë gjithashtu i qartë edhe parimi themelor nga i cili duhet të nisë çdo demokraci: dhuna nuk mund të pranohet si mjet për arritjen e çfarëdo qëllimi, pavarësisht nëse përdoret si formë e shprehjes politike apo e veprimit politik, nga kushdo qoftë që i drejtohet asaj.

Dënimi i dhunës pa asnjë ekuivok duhet të vijë përpara çdo gjëje tjetër. Dhe shpresoj që të jeni plotësisht dakord me Presidentin Trump se Antifa është një organizatë terroriste, pasi kjo protestë i përket kësaj lëvizjeje. Apo nuk ju kanë informuar për këtë?

Protestat paqësore duhet të respektohen plotësisht, respektohen dhe do të respektohen, ashtu siç duhet të mbrohen institucionet publike, punonjësit e administratës publike, si dhe prona private dhe publike”, shkruan Balla.

Reagimi i Wildson u pasua edhe nga kongresmeni Robert Aderholt dhe kreu i grupit të PS u është përgjigjur të dyve në Facebook se “Fatmir Mediu nuk i paska informuar siç duhet” për reagimin e Trump ndaj Antifa.