Protesta në Tiranë, zv.ministrja e Brendshme: Mbani fëmijët dhe adoleshentët larg përplasjeve të dhunshme

18 Tetor 2026 | 12:13

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti në një deklaratë për mediat mesditën e së dielës iu drejtua prindërve dhe qytetarëve që fëmijët dhe adoleshentët të mbahen larg përplasjeve të dhunshme dhe situatave që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.

Ruseti deklaroi standardi që duhet të udhëheqë policinë e shtetit në menaxhimin e protestës duhet të mbështetet në komunikim, ulje të tensioneve dhe përdorim të forcës vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale të nevojshme.

Deklarata e plotë e zv/ministres

“Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e personave që i nxisin drejt dhunës.

Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së çdo fëmije duhet të jetë përparësi.

Ngjarjet e ditëve të fundit kanë evidentuar rreziqet me pasoja në shëndetin e tyre.

Të mitur kanë marrë shërbim mjekësor në spitale, për shkak të problemeve të hasura nga pjesëmarrja e tyre në protestë, 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor, ndër ta rreth 169 efektivë janë lënduar gjatë protestave të këtyre ditëve dhe 70 protestues e kalimtarë.

E drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe përfshin edhe të drejtën e të rinjve për të shprehur mendimin dhe për t’u dëgjuar.

Njëkohësisht, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësore në çdo vendim dhe veprim që e prek atë. Ky parim kërkon nga të gjithë ne të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe ekspozimi ndaj rrezikut.

Standardet evropiane kërkojnë që menaxhimi i protestave të mbështetet në komunikim, ulje të tensioneve dhe përdorim të forcës vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale të nevojshme, ky standard duhet të udhëheqë veprimtarinë e Policisë së Shtetit.

Veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm dhe as vendosjen e përgjegjësisë kolektive. Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe distancimin nga personat që ushtrojnë dhunë. Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar që çdo veprim policor të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës të shqyrtohet në mënyrë të paanshme.

Por sot kemi një komunikim që duam t’jua adresojmë prindërve dhe kujdestarëve.

Të dashur prindër dhe kujdestarë, është e rëndësishme të dini ku ndodhen fëmijët tuaj, me kë janë dhe çfarë përmbajtjesh ose thirrjesh marrin në rrjetet sociale.

Flisni me ta për rreziqet dhe këshillojini që, në rast tensioni, të largohen menjëherë drejt një vendi të sigurt. Edhe pa marrë pjesë në incidente, prania pranë përplasjeve mund t’i ekspozojë ndaj lëndimit.

Përgjegjësia jonë përfshin edhe vëmendjen ndaj pasojave që dhuna mund të shkaktojë në zhvillimin e fëmijëve. Përjetimi ose dëshmimi i saj mund të sjellë frikë, pasiguri dhe pasoja psikologjike afatgjata.

Normalizimi i dhunës mund të krijojë bindjen se konfliktet zgjidhen përmes forcës dhe se dëmtimi i të tjerëve është mënyrë e pranueshme për të kërkuar të drejta.

Fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbështeten që të argumentojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari duke respektuar jetën dhe dinjitetin njerëzor.

Po aq i rëndësishëm është besimi i tyre te Policia e Shtetit, si institucioni ku mund të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje. Paraqitja e policisë si kundërshtare e të rinjve, si dhe çdo sjellje e paligjshme ndaj punonjësve të policisë, e dëmton këtë besim.

Ruajtja dhe forcimi i tij kërkojnë profesionalizëm, trajtim të barabartë, transparencë dhe përgjegjësi për çdo shkelje.

U bëjmë thirrje organizatorëve, përfaqësuesve politikë, mediave dhe çdo të rrituri që ushtron ndikim te fëmijët të kontribuojnë në mbrojtjen e tyre, duke shmangur nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës.

Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje politike dhe nuk mund të përdoren për të mbrojtur askënd.

Interesi më i lartë i fëmijës duhet të udhëheqë veprimet e të gjithë aktorëve, pavarësisht kundërshtive politike. Mbrojtja e të drejtave të tyre kërkon angazhim të përbashkët, me synim që asnjë fëmijë të mos lëndohet në përplasjet në rrugë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vengu thirrje protestuesve: Mbështetja për uniformat nuk duhet të mohojë zërin qytetar

Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu në një reagim në rrjetet sociale vlerësoi vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit, duke theksuar se punonjësit e...
11:30 | 18/10/2026

Një person mbetet pa ndjenja në bulevard, protestuesit i japin ndihmën e parë (VIDEO)

Policia ndërmori një mësymje për të larguar protestuesit nga bulevardi, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë. Ndërkohë, në shesh, një person ka mbetur pa ndjenja....
17:51 | 17/10/2026

Policia tërheq gazetaren e Euronews Albania, tenton t’i marrë telefonin! Po filmonte një arrestim

Një incident është shënuar gjatë protestës me gazetaren e Euronews Albania, Eksiola Shehu. Kjo e fundit po raportonte për situatën e protestës, konkretisht në shkallët...
15:58 | 17/10/2026