Aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi, ka reaguar për protestat që prej pesë ditësh kanë përfshirë Tiranën, në kuadër të tubimeve kundër qeverisë, të cilat në kryeqytet kanë vijuar prej 137 ditësh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të largohet nga detyra. Lajçi ka shprehur revoltën e tij për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si edhe për pamjet e të rinjve të plagosur gjatë protestave.
Të lidhura
None found
Aktori ka kritikuar qëndrimin e Ramës ndaj qytetarëve që protestojnë dhe përdorimin e forcës nga efektivët e policisë. Në reagimin e tij, ai përmend gurët e hedhur gjatë përleshjeve, tymin, shkopinjtë dhe plumbat e gomës.
Ai ka kundërshtuar edhe arsyetimet e kryeministrit për vazhdimin e qëndrimit në pushtet dhe për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke vënë në diskutim çmimin që, sipas tij, po paguajnë qytetarët.
Në përmbyllje, Lajçi e përsërit kërkesën për largimin e Edi Ramës dhe shprehet se Shqipëria do të vijojë rrugën e saj edhe pa të.
Postimi i plotë:
Ik, Ed, largohu! Nuk të ka mbetur asnjë rrugë tjetër.
Këtë mëngjes pashë një njeri që fliste me veten. Më erdhi keq për të.
Më në fund ishte futur në zyrën e Kryeministrisë. Si një urith, shikonte përreth dhe fliste. U trishtova.
Ai njeri, që nuk kishte fjetur gjithë natën, tani pinte kafe dhe i drejtohej një guri. Ishte ai guri që kishte dalë nga dora e një djaloshi në bulevard, teksa përpiqej të mbrohej nga tymi, shkopinjtë dhe plumbat e gomës.
Sa pamje makabre!
Një kryeministër shpjegonte përse nuk duhej të largohej vetë dhe përse nuk duhej të vinte një “neoballist” apo një “neokomunist”. Kështu fliste ai njeri i neveritshëm, që mban në dorën e djathtë rruaza dhe fije shumëngjyrëshe, edhe pse është majtak dhe socialist i thekur.
Ai tregonte përse njerëzit duhet të hanë gurë dhe jo bar, siç thoshte dikur Ramizi, në mënyrë që Shqipëria të bëhet Evropë.
Unë u turpërova, u indinjova dhe nisa të shaja:
— Mallkuar qoftë Evropa për ty!
Ç’vlerë ka Evropa nëse nuk ka më Shqipëri dhe shqiptarë? A do të shkosh në Evropë me policë të maskuar që flasin gjuhë të tjera?
Herët sot pashë një njeri të rrënuar që fliste me veten. Në dorë mbante një armë të sajuar: një gur. Ndoshta ai gur kishte goditur kokën e një djali, qafën e një vajze ose ballin e kryepolicit.
Pashë një njeri të çmendur, i cili kërkon ta çojë çmendurinë e tij deri te konopi, plumbi dhe burgu.
Një kryeministër që e ka konsumuar veten pasi e shiti Shqipërinë. Tani frika nga humbja nuk e lë të flejë, nuk e lejon të mendojë kthjellët dhe as të flasë i qetë.
U trishtova kur pashë njeriun që i kishte thënë Evropës: “Unë jam Kryeministri i Shqipërisë. Kam tetëqind mijë vota. Nuk më trembin fëmijët me gurë. Me vendin tim bëj çfarë të dua!”
Më vjen keq, Ed, por zemra më dhemb kur shoh fëmijët të gjakosur, Tiranën të djegur dhe sheshet të mbuluara me gurë.
Përse po ndodh kjo? Na trego, përse?
Mos vallë e ke blerë postin me tapi?
Largohu, sepse nuk ke më vend në Shqipëri! Merri me vete ato vota, shko në Evropë dhe bëhu mbret atje!
E di se “ne do të vuajmë për ty dhe për çmendurinë tënde”, por besoj se me kalimin e kohës do të mësohemi të jetojmë edhe pa ty. Një “neoballist” do t’i tregojë Evropës se jo të gjithë shqiptarët janë narkomanë dhe narkodilerë.
Ik, Ed, ik! Nuk ke rrugë tjetër.







