Qarkullonte i armatosur me armë zjarri dhe armë gjahu pa leje, arrestohet 40-vjeçari në Vlorë
Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në protesta të dhunshme, duke paralajmëruar për rreziqet që mund t’i ekspozojnë ndaj lëndimeve dhe pasojave psikologjike.
Sipas saj, duke iu referuar protestës së të rinjve që agravoi në dhunë, gjatë ditëve të fundit, mbi 270 persona i janë drejtuar spitaleve për ndihmë mjekësore.
Në një deklaratë për mediat, Ruseti theksoi se mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët dhe se të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje apo të përdoren për qëllime politike.
“Këto protesta mund të vendosin seriozisht në rrezik shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e personave që i nxisin drejt dhunës. Mbrojtja e fëmijëve është një prioritet për të gjithë ne. Ngjarjet e fundit kanë evidentuar rreziqe, të cilat i kanë përfshirë edhe ata.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, mbi 270 persona i janë drejtuar spitalit për shërbim mjekësor, nga të cilët rreth 70 kanë qenë persona që kanë marrë pjesë në protesta apo kalimtarë dhe mbi 170 kanë qenë efektivë të Policisë së Shtetit. Ju urojmë të gjithëve një shërim të shpejtë, e mbi të gjitha urojmë që situata të tilla mos të përsëriten në ditët në vijim. E drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe përfshin edhe të drejtën e të rinjve për të marrë pjesë duke u dëgjuar sipas mënyrës së tyre, nëpërmjet komunikimeve që qeta, ku në asnjë rast nuk vihet në rrezik siguria dhe shëndeti i tyre.
Njëkohësisht, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësore në çdo vendim dhe veprim që e prek atë. Ky parim kërkon nga të gjithë ne, të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe ekspozimi ndaj rrezikut. Standardet evropiane kërkojnë që menaxhimi i protestave të mbështetet në komunikim, ulje të tensioneve dhe përdorim të forcës vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale të nevojshme, ky standard duhet të udhëheqë veprimtarinë dhe punën e Policisë së Shtetit.
Veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm dhe as vendosjen e përgjegjësive kolektive. Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe distancimin e personave që ushtrojnë dhunë. Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar që çdo veprim policor të jetë i ligjshëm, proporcional dhe vetëm atëherë kur është i nevojshëm.
Ndërsa çdo pretendim për përdorim të shtuar apo tepruar të dhunës do të shqyrtohet në mënyrë të paanshme dhe sipas gjithë legjislacionit në fuqi. Por sot kemi një komunikim, drejtuar prindërve dhe kujdestarëve. Të dashur prindër dhe kujdestarë, është e rëndësishme të dini ku ndodhen fëmijët tuaj, me kë janë dhe çfarë përmbajtjesh ose thirrjesh marrin në rrjetet sociale.
Flisni me ta për rreziqet dhe këshillojini që, në rast tensioni, të largohen menjëherë nga vendi ku ata ndodhen e të jenë në një vend të sigurt. Edhe pa marrë pjesë në incidente, prania pranë përplasjeve mund t’i ekspozojë ata ndaj lëndimit. Përgjegjësia jonë përfshin edhe vëmendjen ndaj pasojave që dhuna mund të shkaktojë në zhvillimin e fëmijëve. Përjetimi ose dëshmimi i saj mund të sjellë frikë, pasiguri dhe pasoja psikologjike afatgjata.
Normalizimi i dhunës mund të krijojë bindjen se konfliktet zgjidhen përmes forcës dhe se dëmtimi i të tjerëve është e vetmja mënyrë e pranueshme për të kërkuar të drejta. Fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbështeten që të argumentojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari duke respektuar jetën dhe dinjitetin njerëzor. Po aq i rëndësishëm është besimi i tyre te Policia e Shtetit, si institucioni ku mund të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje. Paraqitja e policisë si kundërshtare e të rinjve, si dhe çdo sjellje e paligjshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, e dëmton këtë besim.
Ruajtja dhe forcimi i tij kërkojnë profesionalizëm, trajtim të barabartë, transparencë dhe përgjegjësi për çdo shkelje. U bëjmë thirrje organizatorëve, përfaqësuesve politikë, mediave dhe çdo të rrituri, që ushtron ndikim te fëmijët të kontribuojnë në mbrojtjen e tyre, duke shmangur nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës. Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje politike dhe nuk mund të përdoren për të mbrojtur askënd.
Interesi më i lartë i fëmijës duhet të udhëheqë veprimet e të gjithë aktorëve, pavarësisht kundërshtive politike. Mbrojtja e të drejtave të tyre kërkon angazhim të përbashkët, me synim që asnjë fëmijë të mos lëndohet në përplasjet në rrugë. Fëmijët janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbrohen”, tha ajo.
Top Channel