Aktualitet

Futbollistët Manaj e Uzuni dënojnë dhunën policore në protesta/11 policë të pezulluar!

Dy sulmuesit e Kombëtares, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni, dënojnë dhunën e policisë ndaj studentëve protestues, duke kërkuar dinjitet, respekt e liri për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri.

Rey Manaj: Studentët janë fëmijët tanë, zëri i tyre nuk duhet mbytur me dhunë

Dua të shpreh shqetësimin tim për dhunën ndaj studentëve dhe protestuesve. Studentët janë fëmijët tanë, janë e ardhmja e kombit dhe meritojnë të dëgjohen… Askush nuk duhet të ushtrojë dhunë ndaj tyre, aq më pak ata që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët.

Gjithashtu, Manaj apeloi për maturi, duke theksuar se protestat duhet të mbeten paqësore dhe se prona private apo publike nuk duhet të dëmtohet.

Myrto Uzuni: Policë, nderojeni uniformën tuaj! Dhuna është e papranueshme

Si sportist, kam përjetuar krenarinë që të jep përfaqësimi i vendit tënd. Besoj se edhe uniforma e policisë duhet të mbahet me atë ndjenjë përgjegjësie… Dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë është e papranueshme. Qytetarët meritojnë të dëgjohen dhe të ndihen të mbrojtur.

Të nderohet uniforma dhe të mos lejohet që veprimet e disa individëve të njollosin imazhin e gjithë strukturës.

Për shkak të dhunës ndaj protestuesve janë 11 policë të pezulluar. Sot në një komunikim live, kryeministri Edi Rama mbrojti policinë se siç tha, u sulmua me gurë e me hekura duke rrezikuar jetën.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi dëmtimin e 38 degëve bankare dhe 42 bankomateve në protesta. Në Instagram, Ibrahimaj bëri të ditur se dëmtimet kanë vështirësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.