Zv.ministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, u bëri thirrje prindërve dhe kujdestarëve të mbajnë fëmijët dhe adoleshentët larg përplasjeve të dhunshme gjatë protestave. Ajo bëri të ditur se 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor, mes tyre rreth 169 efektivë policie, si dhe 70 protestues e kalimtarë.
Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, iu drejtua prindërve dhe kujdestarëve me një apel për të treguar kujdes ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët mund të ekspozohen ndaj rreziqeve gjatë protestave. Në deklaratën e saj për mediat të dielën, ajo theksoi se të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje dhe as të mbajnë përgjegjësi për veprimet e personave që i nxisin drejt dhunës.
Sipas Rusetit, ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar pasojat që pjesëmarrja në protesta mund të ketë për shëndetin e të rinjve. Ajo bëri të ditur se 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor, përfshirë rreth 169 efektivë policie të lënduar gjatë protestave, si dhe 70 protestues e kalimtarë. Zv.ministrja përmendi gjithashtu rastet e të miturve që kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor në spitale.
Ruseti nënvizoi se e drejta për protestë paqësore garantohet nga Kushtetuta dhe përfshin edhe të drejtën e të rinjve për të shprehur mendimin e tyre dhe për t’u dëgjuar. Megjithatë, ajo theksoi se interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë përparësi në çdo vendim dhe veprim që i prek ata.
Duke iu referuar standardeve europiane, zv.ministrja tha se menaxhimi i protestave duhet të mbështetet te komunikimi dhe ulja e tensioneve, ndërsa forca duhet të përdoret vetëm kur është e domosdoshme dhe në masën minimale të nevojshme. Ajo shtoi se veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë trajtimin e të gjithë protestuesve si persona të dhunshëm apo vendosjen e përgjegjësisë kolektive.
Ruseti bëri të ditur se Policia e Shtetit ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe distancimin nga personat që ushtrojnë dhunë. Sipas saj, Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar që çdo veprim policor të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa pretendimet për përdorim të tepruar të forcës duhet të shqyrtohen në mënyrë të paanshme.
Në vijim të deklaratës, Ruseti iu drejtua drejtpërdrejt prindërve dhe kujdestarëve, duke u kërkuar të dinë se ku ndodhen fëmijët e tyre, me kë shoqërohen dhe çfarë përmbajtjesh apo thirrjesh marrin në rrjetet sociale. Ajo i këshilloi të flasin me ta për rreziqet dhe t’u shpjegojnë se, në rast tensioni, duhet të largohen menjëherë drejt një vendi të sigurt. Edhe nëse nuk marrin pjesë në incidente, prania pranë përplasjeve mund t’i ekspozojë ndaj lëndimeve.
Zv.ministrja paralajmëroi gjithashtu për pasojat psikologjike që mund të sjellë përjetimi apo dëshmimi i dhunës, përfshirë frikën, pasigurinë dhe dëmtimet afatgjata. Sipas saj, normalizimi i dhunës mund t’u krijojë fëmijëve bindjen se konfliktet zgjidhen përmes forcës dhe se dëmtimi i të tjerëve është një mënyrë e pranueshme për të kërkuar të drejtat.
Ruseti theksoi se fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbështeten që të argumentojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari duke respektuar jetën dhe dinjitetin njerëzor. Ajo e cilësoi gjithashtu të rëndësishëm besimin e të rinjve te Policia e Shtetit, si institucion ku mund të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje. Sipas saj, paraqitja e policisë si kundërshtare e të rinjve dhe sjelljet e paligjshme ndaj punonjësve të saj e dëmtojnë këtë besim, i cili kërkon profesionalizëm, trajtim të barabartë, transparencë dhe përgjegjësi për çdo shkelje.
Në përfundim, zv.ministrja u bëri thirrje organizatorëve të protestave, përfaqësuesve politikë, mediave dhe të gjithë të rriturve që ndikojnë te fëmijët të kontribuojnë në mbrojtjen e tyre, duke shmangur nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës.
“Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje politike dhe nuk mund të përdoren për të mbrojtur askënd”, deklaroi Ruseti, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve kërkon angazhim të përbashkët, pavarësisht kundërshtive politike, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos lëndohet në përplasjet në rrugë.


