Tetovë, ndalohet 35-vjeçari i dyshuar për tri tentativa dhe një vjedhje në objekte fetare

Tri tentativa për vjedhje të rëndë dhe një rast vjedhjeje të kryer në objekte fetare në Tetovë janë raportuar më 17.10.2026 në SPB Tetovë, ndërsa ngjarjet kanë ndodhur më 16.10.2026.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të SPB Tetovë, në objektin fetar “Firdeus”, në rrugën “Jashtë Vardarit”, gjatë intervalit nga 16 deri më 17 tetor, një person i panjohur ka shqyer dritaren e bodrumit duke përdorur forcë dhe është përpjekur të hapë derën e tij, përpara se të largohej.

Një tjetër rast është regjistruar rreth orës 05:30 në “Xhaminë e Madhe”, në rrugën “Çarshia e Epërme”. Sipas denoncimit, personi ka hyrë në objekt dhe është përpjekur të gjejë çelësin. Më pas, duke përdorur një mjet metalik, ka tentuar të dëmtojë dhe të hapë derën, por është larguar nga vendi.

Ndërkohë, në xhaminë “Eski”, në rrugën “Probishti”, personi përgjegjës A.B. (38) nga Tetova ka raportuar se një i panjohur ka tentuar të hapë kasafortën metalike dhe e ka dëmtuar atë. Kasaforta është gjetur e zhvendosur nën një karrige.

Pas veprimeve operative të kryera nga zyrtarët policorë të SPB Tetovë, më 17.10.2026, në orën 12:30, në rrugën “Boris Kidriç” në Tetovë është ndaluar D.S. (35) nga fshati Jellovjan.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”, të parashikuara dhe të dënueshme sipas nenit 235 të Kodit Penal. Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se, pas përfundimit të dokumentimit të rastit, ndaj tij do të dorëzohet kallëzim përkatës.


Shtuar më 18.10.2026 12:53