Ministrja Delina Ibrahimaj denoncoi dëmtimin e bizneseve dhe pronave gjatë protestave të ditëve të fundit, duke bërë të ditur se në të gjithë vendin janë dëmtuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate. Ajo theksoi se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen, por dënoi aktet e shkatërrimit dhe paralajmëroi për pasojat që ato sjellin për qytetarët.
Delina Ibrahimaj ka publikuar në rrjetet sociale fotografi të bizneseve dhe pronave të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit. Sipas saj, dëmet kanë prekur edhe sektorin bankar, me 38 degë bankare dhe 42 bankomate të dëmtuara në të gjithë vendin.
Përmes një postimi në Instagram, Ibrahimaj u shpreh se këto akte kanë cenuar shërbimet që qytetarët dhe bizneset përdorin në përditshmëri. Ajo theksoi se, ndërsa kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht dhe zëri i tyre të dëgjohet, protesta nuk duhet të shoqërohet me shkatërrimin e pronës.
“Në emër të protestës studentore, prej ditësh po dëmtohen biznese, prona dhe veçanërisht degë bankare e bankomate. 38 degë bankare dhe 42 ATM të dëmtuara në të gjithë vendin, duke cenuar shërbimet e përditshme për qytetarët dhe bizneset.
Në këto ditë, kur zëri i studentëve duhet dëgjuar dhe kërkesat e tyre duhen marrë seriozisht, është e papranueshme që protesta të shoqërohet me akte shkatërrimi. Askush nuk fiton nga kjo dhunë, pasojat do i vuajnë të gjithë. Kjo situatë duhet të marrë fund!”, shkroi Ibrahimaj.


