Një ngarkesë me 660 kilogramë veshje të padeklaruara është zbuluar gjatë një kontrolli doganor në bashkëpunim me Degën Doganore Tiranë. Mallrat u gjetën në një mjet transporti të ardhur nga Turqia dhe përfshinin artikuj veshmbathjeje me etiketa të disa markave të njohura ndërkombëtare.
Kontrolli u krye nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, përmes Sektorit të Monitorimit dhe strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Sipas njoftimit zyrtar, mjeti u përzgjodh për kontroll mbi bazën e analizës së riskut lokal.
Gjatë kontrollit fizik, përveç sasisë së konsiderueshme të mallrave të padeklaruara, u konstatuan etiketa me emrat e markave BOSS, Moncler, Loro Piana dhe Polo Ralph Lauren, mes të tjerash.
Pas konstatimit të shkeljes, autoritetet sekuestruan mallrat dhe vendosën një sanksion administrativ në masën gjashtëfish të detyrimit doganor të papaguar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bëri të ditur se kontrollet synojnë parandalimin dhe goditjen e kontrabandës, shmangien e detyrimeve doganore dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Sipas institucionit, administrata doganore do të vijojë kontrollet për të mbrojtur interesat financiare të shtetit dhe për të garantuar konkurrencën e ndershme.


