Përfundon takimi i Presidentit me krerët e komuniteteve fetare, pritet deklarata e Këshillit Ndërfetar

Ka përfunduar takimi i Presidentit të Republikës me krerët e komuniteteve fetare, i zhvilluar në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe tensione të shtuara. Presidenca bën me dije se do të jetë Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ai që do të dalë me një deklaratë të përbashkët pas takimit.
Dy ditë më parë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë reagoi përmes një deklarate publike, duke bërë thirrje për paqe dhe dialog, pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë vendin.
Në reagimin e tij të parë, Këshilli theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një vlerë themelore demokratike, por dhuna dhe shkatërrimi i pronës private nuk mund të justifikohen.
“Vendi ka nevojë për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, më pak ndarje dhe më shumë dialog”, thuhej në deklaratën e Këshillit Ndërfetar. Pritet që pas takimit me Presidentin të publikohet një tjetër qëndrim i përbashkët lidhur me situatën në vend.




