Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Behar Zyberin, alias Behar Heqimaj, dhe Shpëtim Malasin, të dyshuar për vrasjen me tritol të 48-vjeçarit Beqir Devolli. Vendimi u dha këtë të diel, më 18 tetor, nga gjyqtari Ervin Kore, i cili vlerësoi të ligjshëm ndalimin e dy të arrestuarve.
Zyberi, 64 vjeç, nga Fieri, dhe Malasi, 42 vjeç, banues në Patos, u arrestuan më 16 tetor. Ata dyshohen për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Atentati ndodhi mbrëmjen e 10 tetorit, në bulevardin “18 Shtatori”, përballë Policisë së Gjirokastrës. Nga shpërthimi i lëndës plasëse, e vendosur poshtë sediljes së shoferit, humbi jetën Beqir Devolli, ndërsa 26-vjeçari Erigels Mela, që ndodhej në automjet si pasagjer, mbeti i plagosur lehtë.
Për të njëjtën ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Gentjan Zhupa, 38 vjeç, nga Tepelena, dhe Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas Policisë, atentati dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës në vendet europiane. Hetuesit dyshojnë se katër personat kanë pasur role të ndryshme në organizimin e ngjarjes, vendosjen e lëndës plasëse në automjet dhe shpërthimin e saj.


