Presidenti francez Emmanuel Macron do t’i drejtohet qytetarëve ditën e sotme në orën 20:00, pas protestave të dhunshme të së shtunës, njoftoi Pallati Elysee.
Demonstratat mblodhën mbi 500 mijë persona në dhjetëra qytete franceze. Ndërsa shumica e protestuesve morën pjesë paqësisht, grupe të veçuara shënjestruan ndërtesa publike, plaçkitën dyqane luksoze dhe supermarkete, si dhe sulmuan efektivë e automjete policie.
Sipas ministrit të Brendshëm, në të gjithë vendin janë arrestuar 1,800 persona dhe janë plagosur më shumë se 500 efektivë policie. Në Paris, ku një protestues humbi jetën pasi pësoi atak kardiak, u regjistruan 855 arrestime.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Macron dënoi aktet e dhunës dhe paralajmëroi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
“Nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë”, shkroi presidenti francez, ndërsa incidentet vijonin gjatë mbrëmjes së së shtunës.
“Ata që plaçkitën, sulmuan prefekturat dhe bizneset, madje edhe bashkitë tona, do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen”, shtoi Macron.


