Lionel Messi ishte protagonist në fitoren 3-1 të Inter Miamit ndaj Atlanta United, në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për Major League Soccer (MLS). Ylli argjentinas realizoi dy herë në pjesën e dytë, duke ndihmuar skuadrën të regjistronte fitoren e tretë radhazi, në prag të fazës së plejofit.
Inter Miami kaloi në avantazh në minutën e 45-të me golin e German Berterames, pas një aksioni të nisur nga Messi dhe Luis Suarezi.
Në minutën e 56-të, Messi depërtoi në mbrojtjen kundërshtare dhe shënoi me të majtën, duke çuar rezultatin në 2-0. Vetëm katër minuta më vonë, argjentinasi realizoi sërish, këtë herë pas një pasimi të Suarezit.
Atlanta United arriti të ngushtonte diferencën në minutën e 89-të, kur Fafa Picault shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Megjithatë, vendasit nuk arritën të shmangnin humbjen, ndërsa Inter Miami vazhdoi serinë e fitoreve përpara plejofit.


