Një viktimë dhe mbi 1800 të arrestuar, Macron i drejtohet sot qytetarëve pas kaosit nga protestat

Presidenti francez Emmanuel Macron do t’i drejtohet qytetarëve sot në mbrëmje, në orën 20:00 sipas orës lokale, pas protestave masive kundër rritjes së kostos së jetesës, të cilat u shoqëruan me përplasje të dhunshme, vandalizëm dhe grabitje në disa qytete të Francës.
Sipas njoftimit të zyrës së presidentit, Macron do të mbajë një fjalim në një kohë kur situata në vend mbetet e tensionuar. Një ditë më parë, ai dënoi dhunën dhe paralajmëroi se personat përgjegjës për dëmtimin e institucioneve publike, bizneseve dhe grabitjet do të ndiqen penalisht.
“Nuk ka vend për dhunën”, deklaroi Macron, duke theksuar se institucionet nuk duhet të bëhen objekt sulmesh dhe se qytetarët duhet të kenë mundësi të shprehin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore.
Një viktimë dhe mbi 1,800 të arrestuar
Si pasojë e protestave, një person ka humbur jetën në Paris, mbi 1,800 janë arrestuar dhe rreth 150 efektivë policie kanë mbetur të plagosur. Gjithashtu, një 17-vjeçar në Saint-Étienne ka humbur dorën pas një incidenti me një granatë policore, sipas raportimeve të mediave franceze.
Sipas BFMTV, viktima në Paris pësoi një arrest kardiorespirator pasi u ndje keq në bulevardin Magenta, në zonën ku kalonte protesta. Ai u transportua nga protestues të tjerë drejt një pike të ndihmës së shpejtë, por ndërroi jetë pranë saj.
Në kryeqytetin francez, ku u regjistruan përplasjet më të rënda, autoritetet raportuan 855 arrestime. Rreth 110 mijë persona morën pjesë në protestat në Paris, ndërsa në nivel kombëtar organizatorët dhe sindikata CGT pretendojnë se në rrugë dolën rreth 800 mijë persona.
Sulme ndaj institucioneve dhe bizneseve
Përplasjet më të ashpra u regjistruan në sheshin Republique në Paris, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e dhunshme. Sulme u raportuan edhe pranë institucioneve publike dhe selisë qendrore të televizionit CNeës.
Në Limoges, një zjarr përfshiu godinën historike të bashkisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Autoritetet lokale e vunë zjarrin nën kontroll dhe e cilësuan ngjarjen si të qëllimshme.
Ndërkohë, në Marsejë, persona të maskuar hynë me forcë në godinën e bashkisë dhe dëmtuan ambientet, ndërsa u raportuan edhe grabitje të dyqaneve. Incidente të tjera u regjistruan në Lion, Lilë dhe Grenoble, ku pati dëme materiale dhe zjarre.
Kryeministri francez Sebastien Lecornu deklaroi se qeveria nuk do të lejojë që dhuna të diktojë agjendën politike. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm akuzoi të majtën ekstreme për nxitjen e episodeve të dhunshme, duke shtuar tensionet politike rreth protestave.
Demonstratat u organizuan kryesisht kundër kostos së lartë të jetesës dhe për kërkesa që lidhen me financimin e arsimit dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Fjalimi i paralajmëruar i Macron pritet të jetë një moment i rëndësishëm në reagimin e presidencës ndaj krizës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e personave përgjegjës për dhunën dhe dëmet e shkaktuara.




