Pse RENEA doli në protestën pranë Kyeministrisë? Policia e Shtetit: Ka ardhur një telefonatë që mes protestuesve ka njerëz të armatosur që…

18/10/2026 14:10

Policia e Shtetit ka njoftuar se përse RENEA ishte e pranishme mbrëmjen e djeshme pranë Kryeministrisë në Tiranë.

Drejtues Albert Nushi, shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin e Sigurisë Publike, deklaroi për mediat se telefonata mbërriti në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në një moment kur protestuesit po sulmonin efektivët me lëndë piroteknike.

“Ditën e djeshme, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka ardhur një telefonatë, sipas së cilës, mes protestuesve kishte elementë të armatosur dhe po qëllohej me armë zjarri në momentin e sulmeve me lëndë piroteknike ndaj Policisë.

Përballë kësaj dhune dhe thirrjeve për vrasje, duke qenë se edhe ditën e djeshme sulmet ndaj Policisë kanë qenë të paprecedenta, Policia e Shtetit mori masa shtesë.

Për të mbrojtur jetën e punonjësve të Policisë në terren, të cilët janë të paarmatosur, në zbatim të ligjit për tubimet, në terren kanë dalë edhe strukturat speciale RENEA, pasi, bazuar në telefonatën e ardhur në sallën operative, ekzistonte rreziku për jetën e punonjësve të Policisë.

Njëkohësisht, gjatë ditës së djeshme, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, në zbatim të procedurave standarde dhe në përputhje me shkallën e rrezikut, kanë përdorur në mënyrë të kufizuar pajisjet speciale për menaxhimin e turmave, pasi janë gjendur përballë sulmeve me sfera e vida metalike, lëndë piroteknike, bomba moltov, gurë, pllaka guri e sende të forta të cilat kanë dëmtuar dhe kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë”, njofton policia.

Top Channel