RENEA në protestë, Policia: Morëm telefonatë në sallën operative. U rrezikohej jeta efektivëve
Policia e Shtetit ka dhënë detaje për angazhimin e forcave speciale RENEA gjatë protestave në Tiranë, duke deklaruar se kishte marrë një telefonatë në sallën operative për praninë e personave të armatosur mes protestuesve.
Albert Nushi, shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin e Sigurisë Publike, tha se telefonata e mbërritur në Drejtorinë Vendore të Policisë, raportonte se po qëllohej me armë zjarri gjatë sulmeve me lëndë piroteknike ndaj policisë.
Sipas Nushit, vendimi për angazhimin e RENEA-s u mor për të mbrojtur jetën e efektivëve në terren, të cilët, sipas tij, ishin të paarmatosur.
“Për të mbrojtur jetën e punonjësve të Policisë në terren, të cilët janë të paarmatosur, në zbatim të ligjit për tubimet, në terren kanë dalë edhe strukturat speciale RENEA, pasi, bazuar në telefonatën e ardhur në sallën operative, ekzistonte rreziku për jetën e punonjësve të Policisë”, deklaroi Nushi.
Ai shtoi se, paralelisht me protestat, në grupe online dhe rrjete sociale vijojnë thirrjet për vrasjen e punonjësve të policisë dhe djegien e automjeteve të tyre. Sipas Policisë, këto kërcënime, së bashku me sulmet e regjistruara gjatë protestave, çuan në marrjen e masave shtesë të sigurisë.

